Koreja e Veriut lëshoi të enjten “një raketë të dyshuar balistike”, ndërsa në Gadishullin Korean po zhvillohen stërvitje të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, njoftoi zyra e kryeministrit japonez në një deklaratë të shkurtër, transmeton Anadolu.
“Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë të dyshuar balistike. Do të ketë përditësime të mëtejshme”, thuhet në deklaratë.
Ushtria e Koresë së Jugut gjithashtu tha se Pheniani ka lëshuar një predhë të paidentifikuar drejt Detit Lindor, raportoi Yonhap News.
Lëshimi i predhës ndodhi ndërsa SHBA-ja dhe Koreja e Jugut po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në Gadishullin Korean.
Lëshimi i fundit nga Pheniani vjen pothuajse një javë pasi Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi më 12 gusht.
Presidenti amerikan Donald Trump më herët e shkurtoi nga 11 në pesë ditë stërvitjen vjetore “Ulchi Freedom Shield” të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, e cila përfundon të premten, duke iu referuar marrëdhënieve të tij me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Motra e Kim Jong Un, Kim Yo-jong, pranoi të mërkurën se marrëdhëniet mes liderit koreano-verior dhe Trumpit janë “të shkëlqyera”, por tha se politika armiqësore e Washingtonit ndaj Phenianit nuk ka ndryshuar.
“Ne po i kushtojmë më shumë vëmendje realitetit se stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut kanë vazhduar dhe ende po zhvillohen, dhe kjo është një shprehje e pamohueshme e armiqësisë ndaj Koresë së Veriut”, tha Kim.
Ndërkohë, ministri i Bashkimit i Koresë së Jugut, Chung Dong-young, tha të enjten se bisedimet e drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut do të ishin një hap i parë thelbësor drejt ndalimit të programit të armëve bërthamore të Phenianit.
“Porta e parë për ndalimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut është një takim mes dy palëve dhe ne duhet të punojmë shumë për ta mbështetur atë”, tha Chung, duke shtuar se ndalimi i programit bërthamor të Phenianit është në interesin më të mirë të të gjitha palëve.
Trump tha të mërkurën se do të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim, më vonë këtë vit, duke theksuar se Pheniani zotëron 57 armë bërthamore “shumë të fuqishme”.
Pas deklaratave të Trumpit, ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Ahn Gyu-back, u tha ligjvënësve se Seuli zakonisht vlerëson se Koreja e Veriut zotëron 80 deri në 120 koka bërthamore.

