Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremiq, ka reaguar ashpër ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq, pas raportimit se është arritur një dakordim në Ohër lidhur me aneksin e implementimit të Marrëveshjes bazike të BE-së për normalizimin e marrëdhënies mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij “kjo tradhti e lartë” mund të parandalohet vetëm me referendum, transmeton Telegrafi.
“Është shumë serioze. Në Bruksel u pranua parimi i barazisë së sovranitetit të Serbisë dhe “Kosovës”, sikurse edhe anëtarësimi i Prishtinës në të gjitha organizata ndërkombëtare. Tani është pranuar edhe plani I zbratimit siq thotë Borrell “në plotëni”. Është tradhti e lartë dhe mund të parandalohet vetëm me referendum”, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter ish-ministri i Jashtëm i Serbisë.
Kujtojmë që në Ohër është arritur dakordimi mes Kosovës dhe Serbisë, mbi aneksin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.