Mylouise Veillard ishte vetëm 10 vjeçe kur nëna e saj e la në një jetimore në Haitin jugor dhe i premtoi një jetë më të mirë. Për tre vjet radhazi, Mylouise fjeti në dysheme betoni. E kur ishte e etur, shkonte te një pus dhe mbushte vetë kova të rënda me ujë. Ushqimin e pati të pamjaftueshëm dhe ajo humbi peshë. Shqetësohej për vëllain e saj të vogël që vuajti edhe më shumë sesa ajo në objektin ku u braktisën bashkë.
Kjo është një histori e njohur mes rreth 30 mijë fëmijëve të Haitit që jetojnë në jetimoret e vendit, në të cilat janë bërë raportime për punë të detyruar, trafikim dhe abuzim fizik e seksual. Në muajt e fundit, Qeveria në Haiti ka shtuar përpjekjet për të ribashkuar me qindra prej këtyre fëmijëve me prindërit apo të afërmit e tyre, si pjesë e një shtytjeje masive për mbylljen e institucioneve, shumica e të cilave janë në pronësi private.
Punonjësit socialë po i prijnë iniciativës, ndonjëherë vetëm me një fotografi dhe një përshkrim të paqartë të lagjes, ku fëmija dikur jetonte. Është një detyrë e mundimshme në një vend me më shumë se 11 milionë banorë, ku shumë familje nuk kanë adresë fizike apo gjurmë digjitale.
“Ata janë pothuajse si detektivë”, thotë Morgan Wienberg, bashkëthemeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e “Little Footprints, Big Steps”, një nga organizatat jofitimprurëse që ndihmojnë në ribashkimin e fëmijëve dhe familjeve.
Shtytje për ribashkim
Punonjësit socialë enden nëpër qytete, qyteza dhe fshatra. Ngjiten kodrave, kalojnë në labirintet e kasolleve me çati prej kallaji dhe trokasin derë më derë. Të buzëqeshur, mbajnë në duar fotografi dhe pyesin nëse dikush njeh fëmijën.
Kësisoj zbuluan se disa jetimore i zhvendosnin fëmijët pa i njoftuar prindërit e tyre, apo se familjet detyroheshin të largoheshin nga dhuna në komunitetin e tyre dhe të humbnin kontaktin me fëmijët.
Ndonjëherë, punonjësi social Jean Rigot Joseph u tregon fëmijëve fotografi të monumenteve për të parë nëse u kujtohet vendi se ku kanë jetuar. Nëse arrin të lokalizojë prindërit, ai së pari përcakton nëse ata janë të hapur për ribashkim, përpara se të zbulojë se ka gjetur fëmijën e tyre.
Njëjtë sikurse më shumë se 80 për qind e fëmijëve në jetimoret e Haitit, Veillardi dhe vëllai i saj konsiderohen “jetimë të varfërisë”. Haiti është vendi më i varfër në hemisferën perëndimore, me rreth 60 për qind të popullsisë që fiton më pak se 2 dollarë në ditë. Kur prindërit nuk kanë mundësi që t’i ushqejnë fëmijët e tyre, i vendosin përkohësisht në jetimore, ku besojnë se do të kenë kujdes më të mirë.
“Kur prindërit dorëzojnë fëmijët e tyre në jetimore, ata në të vërtetë nuk e shohin këtë si rrethanë që të heqin dorë nga fëmijët e tyre përgjithmonë”, thotë Wienberg.
Shumica e jetimoreve janë private
Afro 30 mijë fëmijë nga rreth 4 milionë në mbarë vendin jetojnë në rreth 750 jetimore sa janë në të gjithë Haitin, tregojnë shifrat e Qeverisë. Shumë prej jetimoreve u ndërtuan pas tërmetit shkatërrues të vitit 2010, i cili la të vdekur të paktën 200 mijë njerëz. Në muajt që pasuan, numri i jetimoreve në Haiti u rrit me 150 për qind, duke gjeneruar edhe rritje të trafikimit, punës së detyruar dhe abuzimit.
Një raport i vitit 2018 i përpiluar nga Instituti i Mirëqenies Sociale dhe Kërkimeve të Haitit zbuloi se vetëm 35 nga 754 jetimore – më pak se 5 për qind – i përmbushnin standardet minimale dhe lejoheshin të funksiononin. E 580 jetimore morën pikë më të ulëta, që do të thotë se qeveria duhet të urdhërojë mbylljen e tyre.
Në përgjigje të raportit, qeveria në Haiti ka ndaluar ndërtimin e jetimoreve të reja dhe ka mbyllur ato ekzistuese. Por mbyllja e jetimoreve mund të jetë e rrezikshme. Zyrtarët qeveritarë janë kërcënuar ose janë detyruar të fshihen, pasi që pronarët kërkojnë të përfitojnë nga donacionet bujare që rrjedhin nga jashtë; donatorët me bazë besimi në SHBA janë financuesit më të mëdhenj të jetimoreve në Haiti, sipas Lumos, një organizatë jofitimprurëse që punon për të ribashkuar fëmijët në jetimore me familjet e tyre në mbarë botën.
Nuk ka asnjë grup apo shoqatë që flet në emër të jetimoreve në Haiti, pasi shumica dërrmuese janë në pronësi individuale.
Shtëpitë janë një domosdoshmëri për fëmijët, prindërit e të cilëve nuk mund t’i ushqejnë ose t’i mbrojnë nga dhuna, thotë murgesha Paesie, e cila themeloi organizatën fetare “Kizito Family” në Port-au-Prince. Ajo strehon dhe u ofron shkollim falas rreth 2 mijë fëmijëve nga lagjet e varfra.
“Ideja është që t’i largojmë ata nga dhuna”, thotë ajo, teksa tregon se prindërit ftohen që t’i vizitojnë.
Biznesi i birësimeve
Sipas OKB-së, bandat kontrollojnë mbi 80 për qind të Port-au-Princes dhe janë fajësuar për rritje të vrasjeve dhe rrëmbimeve, veçmas në zonat nga vijnë fëmijët në Kizito Family.
Murgesha Paesie dënoi jetimoret që janë të lidhura me biznesin fitimprurës të birësimeve.
“Kjo shkakton kaq shumë abuzime, në vend që të ndihmojmë prindërit, gjë që ne gjithmonë përpiqemi ta bëjmë”, thotë ajo. Por ribashkimi i fëmijëve me prindërit është i vështirë, kurse ata kanë ikur nga dhuna dhe nuk kanë shtëpi, shprehet Paesie. “Muajin e fundit kam parë kaq shumë nëna duke fjetur në rrugë me fëmijët e tyre”, rrëfen ajo. “Dhjetëra nëna më kërkojnë çdo ditë t’i marr fëmijët e tyre, sepse nuk kanë ushqim për t’u dhënë”.
Përpjekjet për ribashkim kanë qenë të suksesshme më shumë në pjesët rurale të Haitit, ku bandat nuk kanë aq shumë kontroll dhe familjet mund të kultivojnë ushqimin e tyre.
Përpjekjet për ndihmë
Në Haitin rural të jugut, rreth 330 fëmijë tani jetojnë përsëri me familjet e tyre. Kur ajo ditë erdhi për Mylouise, tani 17 vjeçe, dhe për vëllain e saj, ata ishin aq të emocionuar saqë dolën me vrap nga jetimorja dhe i lanë prapa vetes sandalet e tyre, kujton Renèse Estève, nëna e fëmijëve.
Ata u bashkuan me Estève, partnerin e saj të ri, fëmijën e tyre të vogël dhe një vëlla tjetër, në një shtëpi me një dhomë gjumi, rrëzë një mali ku fermerët kultivojnë misër, patate dhe vetiver, një bimë kjo vaji i së cilës përdoret në parfume të cilësisë së lartë.
Organizata jofitimprurëse e Wienbergut ndërtoi shtëpinë e Estèvesë, si pjesë e një përpjekjeje për të mbështetur familjet pas ribashkimit, në mënyrë që të shmanget ndonjë tendosje e mëtejshme ekonomike apo një ndarje tjetër. Përpjekje të tjera përfshijnë punësimin e një agronomi për të ndihmuar familjet në prodhimin e të korrave për t’i ngrënë ose shitur në mes të inflacionit që i ka shtyrë haitianët në varfëri edhe më të thellë.
“Ndonjëherë doja të vrisja veten”
Dy nga fëmijët flenë në dyshemenë e betonit; ka vetëm dy shtretër të vegjël në shtëpinë e tyre. Pranë shtretërve, fëmijët mbajnë lodrat e tyre të vetme: një dre pelushi, një arush pelushi të vogël, një çantë Hello Kitty dhe një kuti dreke “Black Panther”.
Estève thotë se lënia e fëmijëve në jetimore ishte e dhimbshme, ani se i vizitonte herë pas here. Tregon se nuk e kishte një vend pune apo një partner për ta ndihmuar në sigurimin e ushqimit dhe për t’u kujdesur për ta. E gjatë vizitave, tregon se fëmijët i thoshin se nuk po kalonin mirë dhe i kërkonin ushqim. Estève kishte vështirësi për të ngrënë, kur mendonte për dy fëmijët e saj.
“Ndonjëherë doja të vrisja veten”, thotë ajo.
Një ditë, e alarmuar nga pesha që kishin humbur, vendosi të merrte fëmijët me ndihmën e punonjësve socialë. Ishte e bindur se ata do të ishin më mirë në mposhtjen e varfërisë sesa në jetimore.
Çelësi i përpjekjeve për ribashkim janë mentorët, si Eluxon Tassy, 32 vjeç, i cili punon me fëmijët që jetojnë në rrugë, në jetimore ose në vendbanime të përkohshme teksa përgatiten për t’u kthyer në shtëpi.
“E kuptoj saktësisht se çfarë po kalojnë ata”, shprehet Tassy.
Ai ishte veç 4 vjeç kur nëna e tij e pati lënë në një jetimore në periferi të Port-au-Princes, ku jetoi për gati 15 vjet. Tani tregon se si u detyrua të kalonte dy vjet me një familje që e shfrytëzonte atë si punëtor shtëpiak, punë kjo që në Haiti njihet si restavek. Nuk shkoi kurrë në shkollë, me gjithë premtimet nga familja për ta regjistruar në këmbim të pastrimit të shtëpisë dhe kujdesit të kafshëve në fermë.
Prioriteti i parë i Tassyt kur ndihmon fëmijët gjatë periudhës përgatitore për t’u kthyer në shtëpi është fitimi dhe krijimi i besimit. Për këtë i përdor artin dhe muzikën. I pyet se si ndihen për jetimoren e tyre, por është i kujdesshëm që të mos i pyesë shumë.
Ndonjëherë i duhet që t’ua shpjegojë konceptin e familjes dhe rëndësinë e dashurisë në rast se ndonjë fëmijë nuk i kujton prindërit e tij apo ka kaluar shumë kohë larg tyre.
Në rastin e Estève, fëmijët e saj u rilidhën pothuajse menjëherë me të. Për të festuar, ajo u përgatiti dy vakte atë ditë: mëngjesin tradicional të Haitit dhe më vonë, oriz dhe fasule të mbushura me një salcë peshku.
“Ishte e lehtë”, thotë ajo. “Ne ishim përsëri një familje”.
Përktheu: Forca Jashari /koha