Jordania vlerësoi vendimin e Australisë për të përdorur përkufizimin e “territorit të pushtuar palestinez”, të cilin e deklaroi në “përputhje me ligjin ndërkombëtar”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme jordaneze, Sinan al-Mejali vlerësoi deklaratat e ministres së Jashtme australiane Penny Wong se qeveria tani do të përdorë përkufizimin e “territoreve të pushtuara palestineze”, përfshirë Kudsin Lindor dhe do t’i konsiderojë vendbanimet hebraike “të paligjshme”.
Në deklaratë thuhet se vendimi i Australisë ishte “i mirëpritur” nga Jordania dhe “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare si dhe përpjekjet për të arritur zgjidhje të drejtë me dy shtete me krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez në kufijtë e 4 qershorit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqyteti i saj”.
– Vendimi i Australisë për Kudsin Perëndimor
Qeveria australiane më 18 tetor 2022 njoftoi se anuloi vendimin për të njohur Kudsin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit, i cili u mor gjatë qeverisë së mëparshme në 2018.
Ministrja e Jashtme australiane Wong e përshkroi vendimin e qeverisë së mëparshme si një “hap të njëanshëm dhe të rrezikshëm”.
Ajo tha se vendi i saj është “i përkushtuar të kërkojë zgjidhje me dy shtete, ku Izraeli dhe Palestina në të ardhmen do të jetojnë në paqe brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”.