Më shumë se dy mijë mbetje u gjetën gjatë një kërkimi me radar të tokës në vendin e një ish-konvikti të shkollës kishtare në rajonin Star Blanket Cree Nation në Saskatchewan të Kanadasë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ka përfunduar faza e parë e kërkimit me radar të tokës (GPR), i cili u iniciua së fundmi në vendin e ish-konviktit të shkollës Lebret në rajonin Star Blanket Cree Natio.
Sheldon Poitras, kreu i projektit të kërkimit të tokës, u tha gazetarëve se mbetjet e gjetura mund të jenë mbetje njerëzore, copa guri ose druri.
Duke theksuar se me skanimin e tokës filluan më 2 tetor 2022, Poitras tha se gjetën një fragment kocke nofulle që besohej të ishte 125 vjeç i vjetër dhe që i përkiste një djali pesë ose gjashtë vjeç.
“Kjo është dëshmi fizike e një varri të pashënuar”, tha Poitras.
Ai gjithashtu bëri të ditur se gjatë kontrollit janë zbuluar tunele dhe dhoma nëntokësore dhe se do të hetojnë hollësisht të gjitha mostrat e mbledhura.
Nëse testi zbulon se mbetjet janë pjesë të trupit të njeriut, konvikti i shkollës Lebret do të jetë shkolla me më së shumti varre të paregjistruara në Kanada deri më sot.
Kreu i administratës lokale të qytetit kanadez, Michael Starr, tha se beson se këto janë varre të pashënuara me mbetje njerëzore.
“Zemrat tona janë të rënduara sot, ishte një udhëtim shumë emocionues për të gjithë ne. Ky zbulim ndryshoi gjithçka, mentalitetin tonë, në një farë mënyre ndryshoi mënyrën e të jetuarit tonë”, tha Starr.
Shkolla funksionoi 114 vjet
Konvikti i shkollës Lebret ndodhet në fshatin me të njëjtin emër, rreth 80 kilometra në verilindje të Regina-s, kryeqyteti i Saskatchewan-it.
Shkolla u hap për herë të parë në vitin 1884 dhe u zgjerua në 1895.
Në vitin 1951, ishte një nga shkollat e para me konvikt që ofronte arsim të mesëm.
Shkolla kishte një shkallë të lartë të vdekjeve, sipas raportit të Komisionit Kombëtar të Vërtetës dhe Pajtimit.
Administrata e shkollës pretendon se pas nëntë viteve të para të funksionimit, ajo kishte çregjistruar 174 nxënës, 71 prej të cilëve vdiqën, por informacionet e detajuara nuk diheshin.
Konvikti Lebret u mbyll në vitin 1998, pas 114 vitesh funksionimi.
Varret e para u zbuluan në vitin 2021
Varret e paregjistruara të fëmijëve në kopshtin e konviktit të një shkolle të vjetër kishtare në Kanada u zbuluan për herë të parë për publikun më 29 maj 2021, kur u gjetën eshtrat e 215 fëmijëve në kopshtin e një shkolle në Kamloops, British Columbia.
Në qershor 2021, në kopshtin e konviktit të shkollës Marieval në Saskatchewan, u zbuluan varre me mbetjet e 751 trupave të fëmijëve, të cilët nuk figuronin në asnjë të dhënë zyrtare.
Eshtrat e trupave të 182 fëmijëve të tjerë u gjetën disa ditë më vonë pranë shkollës St. Eugene në British Columbia.
Fisi lokal në Penelakut në të njëjtën provincë kanadeze njoftoi gjithashtu në korrik 2021 se kishin zbuluar eshtrat e 160 fëmijëve në varre të pashënuara në oborrin e Shkollës dhe Konviktit të Kishës Cooper.
Skanimi me radar i 14 nga gjithsej 470 hektarëve të konviktit dhe shkollës të Kishës St.Joseph në rajonin Williams Lake Forst Nation zbuloi 93 varre të pashënuara fëmijësh.
Kërkimet e kryera në rajonin Keeseekose në Saskatchewan gjetën gjithashtu 42 varre të pashënuara në konviktin e shkollës Fort Pelly dhe 12 varre të tilla në mjediset e St.Philip.
Po ashtu, 14 varre të tjera të pashënuara të fëmijëve u gjetën në mjediset e Kishës Gordon’s Boarding në Saskatchewan.
Abuzimi më famëkeq i fëmijëve në historinë kanadeze
E para në mesin e konvikteve të shkollave kishtare, që konsiderohet si vendi i abuzimit më famëkeq të fëmijëve në historinë kanadeze, u hap në fillim të viteve 1880 dhe e fundit u mbyll në 1998.
Në këto shkolla, ku më shumë se 150 mijë fëmijë lokalë u morën me forcë nga familjet e tyre, shumica e fëmijëve u dhunuan nga priftërinjtë, murgeshat dhe mësuesit e tjerë me dhunë fizike, seksuale dhe psikologjike.
Krahas abuzimit të fëmijëve të evidentuar nga Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, i themeluar në vitin 2010, u konstatua se disa fëmijë i janë nënshtruar edhe eksperimenteve mjekësore.
Qeveria federale kanadeze u ka kërkuar zyrtarisht falje viktimave të asaj që ndodhi në konviktet e kishave, ku mijëra fëmijë humbën jetën nga uria, të ftohtit dhe sëmundjet.