Kancelari gjerman Olaf Scholz premtoi mbështetje të vazhdueshme ushtarake për Ukrainën, por vuri në dukje se qeveria e tij do të veprojë “me përgjegjësi” për të shmangur një konfrontim midis NATO-s dhe Rusisë, transmeton Anadolu.
“Ne gjithmonë i kushtojmë vëmendje që vendimet që marrim të mos përshkallëzojnë këtë në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s. Ukraina është sulmuar nga Rusia, Ukraina po mbrohet dhe do të mbështetet nga ne”, tha ai.
Kancelari gjerman i bëri këto komente gjatë një takimi me qytetarët në qytetin lindor Erfurt, ku ai gjithashtu iu përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve.
Scholz fajësoi presidentin rus Vladimir Putin për fillimin e konfliktit dhe e akuzoi atë për ndjekjen e ambicieve imperialiste, teksa iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me luftën në Ukrainë.
Ai paralajmëroi se përpjekja e Putinit për të ndryshuar kufijtë me forcë mund të shkaktojë luftëra tjera.
“Nëse dikush shikon në një atlas, harta të vjetra që shkojnë prapa në 50, 100, 200 ose 300 vjet, e sheh se shumë vende mund të gjejnë arsye për të kërkuar territor nga fqinjët e tyre”, tha Scholz, duke shtuar: “Nëse të gjitha vendet bëjnë të njëjtën gjë, atëherë kjo mund të ndezë një zjarr, të cilin ne mund të mos jemi në gjendje ta ndalojmë më. Dhe kjo është gjëja e rrezikshme për luftën e agresionit rus.”
Kancelari gjerman gjithashtu tha se “ne mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, por për një kohë të gjatë kemi pasur një konsensus që kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë. Dhe Putini e ka sfiduar këtë”..
Scholz përsëriti mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën dhe tha se qeveria e tij do të vazhdojë të ndjekë një politikë të jashtme të përgjegjshme.