RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kancelari gjerman Scholz kritikon protestuesit që e quajtën “luftënxitës”

kancelari-gjerman-scholz-kritikon-protestuesit-qe-e-quajten-“luftenxites”

Reagimi i ashpër i kancelarit gjerman Olaf Scholz ndaj protestuesve të cilët kërkojnë mosdërgimin e armëve në Ukrainë është bërë virale në mediat sociale, raporton Anadolu.

Dhjetëra persona fishkëllyen Scholz-in të premten në mbrëmje gjatë një tubimi partiak në Falkensee, një qytet në shtetin lindor të Brandenburgut. Protestuesit e zemëruar bërtisnin me zë të lartë, fishkëllenin dhe disa prej tyre brohorisnin “luftënxitës”, “zhduku!” dhe “ne jemi populli!”.

Politikani socialdemokrat reagoi me zemërim ndaj protestuesve, mbrojti politikën e jashtme të qeverisë së tij dhe akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për agresion kundër Ukrainës.

“Putini është luftënxitës!. Ai marshoi në Ukrainë me 200 mijë ushtarë dhe ka mobilizuar shumë më tepër”, tha Scholz. Ai gjithashtu argumentoi se qeveria e tij nuk kishte zgjidhje tjetër veçse t’i siguronte Ukrainës armë për t’u mbrojtur.

“Ndërsa ju po bërtisni ‘bëni paqe pa armë’, Putini po grumbullon një numër tankesh, raketash, raketash balistike dhe i ka drejtuar ato në Ukrainë. Ai po shkatërron qytete, po shkatërron fshatra”, tha Scholz.

Vladimir Klitschko, ish-boksieri ukrainas dhe vëllai i kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko, ka falënderuar kancelarin Scholz në rrjetet sociale. “Ndjehem mirë që kancelari gjerman gjen këto fjalë të qarta dhe gjithashtu më preku personalisht reagimi i tij ndaj miqve të Putinit. Faleminderit, Olaf Scholz që na mbron me një vendosmëri kaq të madhe!”, shkroi ai në Twitter.

Kancelari gjerman Scholz është nën presion në rritje në vend për shkak të krizës së kostos së jetesës, rritjes së çmimeve të gazit dhe rritjes së faturave të energjisë.

Sipas një sondazhi të ri javën e kaluar, koalicioni qeverisës i kancelarit Scholz ka rënë në nivelin më të ulët historik, ndërsa Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë shënoi rritje në nivel rekord.

Sondazhi nga transmetuesi publik ARD tregon se 79 për qind e të anketuarve ishin ose më pak të lumtur ose aspak të kënaqur me qeverinë e koalicionit liberal të qendrës së majtë të Scholz. Vetëm 20 për qind e votuesve u shprehën të kënaqur me funksionimin e qeverisë.

Related posts

Tagarev: Bashkëpunimi në mbrojtje mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është shumë i rëndësishëm

rezart morina

Familja e gazetares Abu Akleh refuzon versionin izraelit për vrasjen

admin

Replika të ashpra mes Izraelit e Palestinës në Këshillin e Sigurimit të OKB

admin