Kapitenët e Anglisë, Uellsit, Holandës dhe Gjermanisë nuk do të mbajnë shiritin “One Love” gjatë Kupës së Botës FIFA 2022 në Katar për një rrezik të mundshëm rezervimi, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Si federata kombëtare, ne nuk mund t’i vendosim lojtarët tanë në një pozicion ku mund të përballen me sanksione sportive, përfshirë ndëshkimin me karton, kështu që ne u kemi kërkuar kapitenëve që të mos tentojnë të mbajnë shiritat në ndeshjet e Kupës së Botës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të federatave të futbollit anglez, uellsian dhe gjerman.
Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, kapiteni i Uellsit, Gareth Bale, portieri gjerman Manuel Neuer dhe mbrojtësi holandez Virgil van Dijk nuk do të mbajnë shiritin “One Love” në Katar.
Sanksionet e FIFA-s mund të përfshijnë ndëshkimin me karton ose largim nga fusha.
“Ishim të përgatitur të paguanim gjoba që normalisht do të zbatoheshin për shkeljet e rregulloreve të fanellave dhe ishim fuqishëm të përkushtuar të mbajmë shiritin në krah. Megjithatë, nuk mund t’i vendosim lojtarët tanë në situatën ku ata mund të ndëshkoheshin apo edhe të detyroheshin të largoheshin nga fusha e lojës”, shtuan federatat e futbollit.
Por, Anglia, Uellsi dhe Gjermania shtuan se janë “shumë të frustruar me vendimin e FIFA-s” ndërsa lojtarët dhe trajnerët e tyre janë “të zhgënjyer”.
Gjithashtu edhe Federata Holandeze e Futbollit (KNVB) doli me një mesazh të ngjashëm në faqen e saj të internetit duke theksuar se prioriteti i tyre në Kupën e Botës është të “fitojnë ndeshjet”, kështu që KNVB vendosi të heq dorë nga plani i tyre.
KNVB filloi fushatën “One Love” para EURO 2020 për të përhapur mesazhin kundër diskriminimit.
Katari, megjithatë, i kriminalizon marrëdhëniet e të njëjtës gjini dhe promovimin e tyre.
Sipas rregulloreve të FIFA-s për pajisjet, kapiteni i çdo skuadre duhet të mbajë një shirit në krah të siguruar nga FIFA.
“Nëse FIFA ofron një zgjedhje të shiritave të kapitenit, kapiteni duhet të mbajë atë që është në një kontrast më të qartë me mëngën në të cilën është veshur”, shtoi FIFA.
“Katar 2022” filloi të dielën dhe do të zgjasë deri më 18 dhjetor.