Ushtria izraelite sulmoi gazetarët gjatë bastisjes dhe operacioneve në kampin e refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.
Ushtarët izraelitë qëlluan drejtpërdrejt në kamerën e vendosur nga reporteri që ndiqte situatën në zonë, me ç’rast u shkatërruan pajisjet që përdorte gazetari i TV Al-Arabi.
Rrethimi dhe sulmet e ushtrisë izraelite në qytetin e pushtuar të Jeninit të Bregut Perëndimor vazhdojnë edhe sot. Sulmet ajrore dhe tokësore të nisura dje nga forcat izraelite në kampin e refugjatëve në Jenin kanë hyrë në ditën e dytë.
Të paktën 10 palestinezë janë vrarë gjatë sulmeve, kurse rreth 100 të tjerë janë plagosur, 20 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë deklaroi se ushtarët izraelitë vranë një tjetër palestinez mëngjesin e sotëm në rajonin Merc bin Amir.
Sipas ushtrisë izraelite, ushtria dhe Agjencia e Inteligjencës së Brendshme Shin-Bet (Shabak) vazhduan aktivitetet e tyre ushtarake në Jenin dhe kampin e refugjatëve në qytet.
Ushtria izraelite njoftoi se kreu 20 sulme ajrore, nga të cilat rreth gjysma ishin sulme në zona të hapura për të mundësuar lëvizjen e trupave, ndërsa sulmet tjera u kryen për të eliminuar kërcënimet në zonë.
Më tej nga ushtria izraelite thonë se janë gjetur dhe asgjësuar një depo e lëndëve plasëse, dy dhoma për menaxhimin e operacioneve luftarake dhe disa lëndë plasëse.