Priten protestat më të mëdha që nga koha e “Jelekëve të Verdhë” në vitin 2018
Protesta e peshkatarëve francezë kundër rritjes së çmimit të karburantit po zgjerohet. Në brigjet e Mesdheut janë bllokuar portet e Sète, Fos-sur-Mer dhe, së fundmi, edhe Nice.
Në një prej rasteve, u vonua ankorimi i një trageti të Corsica Ferries, me rreth 600 pasagjerë në bord, ndërsa forcat e rendit ndërhynë për të garantuar sigurinë.
Rreth 200 peshkatarë bllokuan gjithashtu hyrjet dhe daljet e rafinerisë së Frontignan. Në zonë u ndezën disa zjarre, të cilat u shuan shpejt nga zjarrfikësit.
“Veprimi ynë është simbolik”, deklaroi Ange Natoli, përfaqësues i peshkatarëve, i cili u nis drejt Parisit për t’u takuar me ministren e Detit dhe Peshkimit, Catherine Chabaud.
Përballë protestave, kryeministri Sébastien Lecornu ka kërkuar zgjatjen deri më 31 dhjetor të skemës së ndihmës për karburantin. Për peshkatarët, subvencioni pritet të rritet nga 25 në 35 cent për litër, niveli maksimal që lejon Komisioni Evropian për të mbështetur vazhdimin e aktivitetit të flotës së peshkimit.
Por shqetësimi i qeverisë franceze është se protesta mund të mos mbetet vetëm një revoltë e një sektori të ekonomisë.
Rritja e çmimeve të karburantit, e kombinuar me shqetësimet për fuqinë blerëse, ka rikthyer në skenë kujtimin e “jelekëve të verdhë”, lëvizja që në vitin 2018 shkaktoi muaj protestash dhe përplasjesh në Francë.
Në rrjetet sociale janë shtuar thirrjet për demonstrata më 17 tetor, megjithëse deri tani ato duken të pakordinuara.
Jérôme Rodrigues, një prej figurave të lëvizjes së “jelekëve të verdhë”, tha për France 2 se nuk beson se lëvizja do të rikthehet në të njëjtën formë si në vitin 2018, por nuk përjashtoi një revoltë të re popullore, madje edhe më të gjerë.
Edhe politika ka filluar t’i afrohet protestës. Olivier Faure, sekretari i Partisë Socialiste, deklaroi se do të qëndrojë në krah të “jelekëve të verdhë” nëse ata rikthehen në rrugë.
Sipas tij, bëhet fjalë për qytetarë që punojnë, por që nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet mujore, ndërsa fuqia e tyre blerëse rritet shumë më ngadalë se kostot e jetesës.
Thirrje për mobilizim ka bërë edhe kandidati komunist për zgjedhjet presidenciale, Fabien Roussel. Ai u ka bërë thirrje francezëve të dalin në rrugë, pranë prefekturave dhe institucioneve qendrore të pushtetit, nëse qeveria nuk merr masa në ditët e ardhshme.
Edhe France Insoumise e Jean-Luc Mélenchon ka deklaruar mbështetjen për protestën nëse mobilizimi i 17 tetorit konfirmohet. Çmimi i karburantit ishte pikërisht një nga shkaqet që ndezën revoltën e “jelekëve të verdhë” në vitin 2018.
Me rritjet e fundit, në Francë një litër naftë ka arritur në rreth 2,36 euro, ndërsa benzina SP98 kushton 2,24 euro dhe SP95 rreth 2,22 euro. Në disa pika karburanti, çmimet janë edhe më të larta.
Në Fresnay-L’Évêque, rreth 90 kilometra në jugperëndim të Parisit, një litër naftë ka arritur në 2,84 euro, rreth 50 cent më shumë se çmimi mesatar.
Qeveria ka miratuar ndërkohë një ndihmë prej 100 eurosh për rreth tre milionë punonjës me të ardhura të ulëta që përdorin automjetin për të shkuar në punë. Por skema parashikohet të përfundojë në fund të muajit.
Pra në Francë, po shndërrohet sërish në një çështje sociale dhe politike. Nëse pakënaqësia përtej peshkatarëve do të bashkojë edhe kategori të tjera të shoqërisë, kujtimi i vitit 2018 mund të bëhet më shumë se sa një referencë historike.
Dhe kjo ngre një pikëpyetje edhe për Shqipërinë. Në një kohë kur çmimi i karburantit në vend ka arritur nivele rekord, po aq sa në Francën me të ardhura disa herë më të lara, sa larg është shoqëria shqiptare nga një pikë ku kostoja e jetesës mund të kthehet nga një shqetësim individual në një revoltë sociale? /tesheshi

