Kreu i Kishës Katolike në Angli dhe Uells dënoi “vrasjen me gjakftohtësi” të dy grave nga një snajper izraelit në një kishë katolike në Gaza, transmeton Anadolu.
“Ajo që absolutisht më shqetëson është se në këtë rast nuk ka asgjë për demonstruar të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, gjë që unë e kuptoj”, tha për SkyNews kryepeshkopi i Westminster-it, kardinali Vincent Nichols.
“Vrasja e njerëzve që janë dukshëm të pambrojtur dhe të pafajshëm më duket se e lë në plan të dytë që Izraeli thotë se po përpiqet të arrijë”, shtoi Nichols.
“Kushdo që ka besim kalon nëpër kohë të errëta. Dhe nuk ka dyshim se aftësia e qenieve njerëzore për dhunë dhe mizori është e habitshme. Dhe e gjithë kjo brenda asaj që është përcaktuar qartë si një kishë, ku nuk mund ta besoj për asnjë minutë se si raketa lançohet ndaj saj. Dhe është një komunitet i cili që nga tetori ka strehuar qindra njerëz dhe është kujdesur për ta”, tha gjithashtu ai.
Kur atij iu kujtua se ushtria izraelite mohoi akuzat se kishte sulmuar kishën, Nichols tha: “Kjo është e vështirë të besohet, sinqerisht, sepse për njerëzit në Gaza dhe për kryepeshkopin kardinal të Kudsit, nuk është karakteristike të thonë gënjeshtra”.
Ndërkohë, Papa Françesku të dielën i përshkroi sulmet e Izraelit ndaj të krishterëve dhe kishave në Gaza si “terrorizëm”.
Duke iu drejtuar ndjekësve të shumtë në fjalimin e së dielës në Sheshin e Shën Pjetrit, ai tha: “Të mos harrojmë vëllezërit tanë që vuajnë nga luftërat në Ukrainë, në Palestinë dhe Izrael dhe në rajone të tjera konflikti. Afrimi i Krishtlindjeve le të forcojë angazhimin për të hapur shtigjet e paqes”.
Papa shprehu keqardhjen për lajmet shqetësuese nga Gaza, ku “civilët e paarmatosur janë objektiva të bombardimeve dhe të shtënave me armë”.