Reagim i vonuar dhe i parashikueshëm i presidentit ndaj protestave
Ndryshimet famëkeqe kushtetuese të vitit 2008, si produkt i një pakti ogurzi Rama-Berisha, vulosën fatin e keq të sistemit tonë demokratik. Ai moment historik nuk bëri gjë tjetër veçse mbiforcoi postin e kryeministrit dhe e “kastroi” politikisht atë të Presidentit të Republikës.
Që prej atij viti, Kreu i Shtetit është katandisur në një rol me pak se ceremonial – një figurë periferike e detyruar të mjaftohet me shpërndarjen e medaljeve dhe pjesëmarrjen në aktivitete simbolike të dorës së dytë.
Prej pothuajse dy dekadash, mekanizmi i vetëm i kontrollit që i ka mbetur, ai i kthimit të ligjeve në parlament, është kthyer në një flluskë sapuni, pasi shumica qeverisëse thjesht e rrëzon me kokëfortësi dhe vazhdon rrugën e saj.
“Delfini” i pushtetit dhe heshtja e pritshme
Rasti i Presidentit aktual, Bajram Begaj, është ilustrimi më i pastër i kësaj bjerrjeje të pandalshme të autoritetit të institucioneve nominalisht të pavarura. I përzgjedhur në mënyrë jokonsensuale dhe i votuar thjesht si një “delfin” i Edi Ramës me votat e shumicës socialiste, Begaj ka dëshmuar se nuk është zëri i sovranit, por zgjatimi i interesave të ekzekutivit.
Ndërsa Tirana vlon prej 25 ditësh nga protestat popullore që kërkojnë largimin e Kryeministrit dhe reagimin e drejtësisë, Kreu i Shtetit qëndroi mbi tre javë gojëkyçur.
Dhe kur më në fund vendosi të artikulonte dy fjalë gjatë 100-vjetorit të Prefekturës së Tiranës, reagimi i tij ishte aq neutral sa kufizohej me fyerjen ndaj inteligjencës publike. Deklaratat e tij se “demokracia ndërtohet mbi pjesëmarrjen qytetare”, dhe thirrjet e vakëta për të respektuar institucionet shtetërore treguan qartë se ai nuk guxon dot të dalë nga gardhi i vendosur prej atyre që e votuan.
Në vend që të jetë garant i unitetit kombëtar dhe një zë kritik ndaj arrogancës qeveritare, ai zgjedh rolin e vëzhguesit burokratik që fshihet pas frazave të gatshme të “neutralitetit kushtetues”.
Asnjë fjalë për projektin e Sazanit dhe Zvërnecit, asnjë apel për transparencë dhe llogaridhënie deri në fund për çdo shkelje që është konsumaur dhe për të cilin SPAK ka nisur hetimet.
Kolapsi institucional dhe komoditeti i kryeministrit
Por tragjedia e demokracisë shqiptare nuk mbaron te Presidenca. Kjo valë “tredhjeje” institucionale ka përfshirë çdo qelizë kontrolli mbi pushtetin. Një mungesë reagimi është vënë re edhe nga Avokati i Popullit – një tjetër institucion kushtetues që supozohet të jetë mbrojtësi i pakompromis i qytetarëve përballë dhunës apo arbitraritetit të shtetit.
Nën qeverisjen aktuale, edhe ky institucion është asfiksuar, duke u shndërruar në një vëzhgues anemik që nuk prodhon asnjë peshë reale politike apo juridike. Kur të gjitha institucionet që duhet të garantojnë ekuilibrin e pushteteve dorëzohen ose asgjësohen, autokracia nuk ka më asnjë pengesë.
Kjo është pikërisht arsyeja pse Edi Rama vazhdon të livadhisë i qetë në këtë vend, i pashqetësuar nga skandalet, protestat apo kërkesat e llogarisë. Kur nuk ka një President që të ngrejë zërin, kur nuk ka një Avokat Populli që të mbrojë qytetarët në shesh, dhe kur Parlamenti është kthyer në një noter të thjeshtë të vullnetit të kryeministrit, pushteti ekzekutiv kthehet në një absolutizëm të pastër.
Pa një reformim të thellë që do të zhbënte dëmet e vitit 2008 dhe pa një lidership institucional me shtyllë kurrizore, Shqipëria do të mbetet peng e një njeriu të vetëm, ndërsa institucionet do të vazhdojnë të shërbejnë thjesht si fasadë e një demokracie që ka dhënë shpirt. tesheshi

