Katër shqiptarë janë sulmuar fizikisht dje rreth orës 16:50, në sheshin e njohur si “Car Llazari”, në Mitrovicën e Veriut.
Dy nga personat e sulmuar në këtë rast janë trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, për shkak të lëndimeve të marra.
Nga Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë kanë bërë të ditur se dy nga të lënduarit në këtë rast pas ofrimit të trajtimit të nevojshëm mjekësor, janë lëshuar për në shtëpi.
Lidhur me këtë ngjarje, lajmi.net ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, nga ku edhe janë dhënë detaje shtesë.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në veri të Mitrovicës, Valon Pereteni, ka konfirmuar rastin duke theksuar se po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e këtij rasti.
Preteni njashtu tha se një nga viktimat në këtë rast ka pësuar lëndime të rënda trupore, saktësisht thyerje të ashtit të hundës.
“Lidhur me rastin nga policia është njoftuar Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, i cili ka udhëzuar policinë që rasti të hetohet, dhe të ndërmerren të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e këtij rasti, rasti është duke u hetuar nga policia në koordinim me PTH në Mitrovicë. Në këtë rast dyshohet se të dëmtuarit, njëri ka pësuar lëndime të rënda trupore (thyerje e ashtit të hundës), kurse tjetri ka pësuar lëndime të lehta trupore”, ka thënë Preteni.
Gjithashtu Preteni tha se të dyshuarit të cilët kanë sulmuar dhe u kanë shkaktuar lëndime të dëmtuarve ende nuk janë identifikuar.
Ndryshe katër shqiptarët të cilët u sulmuan në këtë rast ishin nga Kamenica dhe të njëjtit kishin shkuar për vizitë në veri të Mitrovicës.
Gjatë muajve të fundit, veriu i Kosovës ka qenë vazhdimisht nën tension e sipër.
Situatat e krijuara në këtë anë shpesh herë kanë sjellur frikën për ngritje edhe më të madhe të tensioneve.
Nën kërcënimin e grupeve të shumta kriminale të cilat vazhdojnë të funksionojnë në këtë anë ishin edhe zyrtarët e shumtë policorë të Kosovës.
Të njëjtit në disa raste u kërcënuan edhe me armë, e organizime të ndryshme që u bënë ndaj tyre.