Të paktën katër persona humbën jetën dhe 23 të tjerë u plagosën, pasi një tren pasagjerësh u përplas me një tren mallrash në Republikën Çeke, njoftuan autoritetet të enjten.
Siç raporton agjencia lokale e lajmeve CTK, ministri i Brendshëm, Vit Rakusan, tha se përplasja ndodhi të mërkurën në mbrëmje vonë në qytetin Pardubice – rreth 100 kilometra në lindje të Pragës.
Treni i udhëtarëve me shpejtësi të lartë i përkiste kompanisë private RegioJet.
Rakusan tha se asnjë nga të plagosurit nuk ishte në rrezik për jetë.
Ministri i Transportit, Martin Kupka, tha se rruga kryesore midis Pragës dhe pjesës lindore të vendit duhej të mbyllej ndërsa autoritetet hetonin përplasjen.
“Ne nuk mund dhe nuk do të spekulojmë për shkakun e aksidentit”, tha Kupka.
Kompania shtetërore e trenave, Hekurudhat Çeke tha se binarët mund të qëndrojnë të mbyllur për gjithë ditën “për shkak të shkallës së aksidentit”.
Ekipet e shpëtimit thanë se më shumë se 300 pasagjerë ishin në trenin me shpejtësi të lartë, që po shkonte për në qytetin e Kosice, në Sllovakinë lindore.
Të vdekurit nuk u identifikuan menjëherë.
Drejtuesit e të dy motorëve mbijetuan.
Kryeministri Petr Fiala e quajti aksidentin një tragjedi të madhe dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e të vdekurve.
The post Katër të vdekur dhe 23 të plagosur në një përplasje në mes të trenave në Republikën Çeke first appeared on Radio Televizioni Iliria.