Kosova duhet të jetë e pranishme si vëzhguese e përhershme në EUROJUST, pasi kjo do të jetë një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Kështu u tha në takimin e sotëm ndërmjet u.d së Kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi, kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj, prokurores së PSRK-së, Ilirjana Çollaku-Tafa me presidentin e EUROJUST Ladislav Hamran, ku u bisedua mbi avancimin e bashkëpunimit dypalësh.
Në këtë kontekst, presidenti i EUROJUST-it ka vlerësuar bashkëpunimin që prokurorët kosovarë vazhdojnë ta kenë me këtë agjenci të BE-së në fushën e drejtësisë penale.
U.d së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka falënderuar presidentin Hamran për ndihmën e dhënë për Prokurorin e Shtetit, si dhe shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me qëllim të luftimit të krimit.
Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka folur për veprimet në intensifikimin dhe avancimin e bashkëpunimit me EUROJUST-in, si dhe ka potencuar se PSRK do t’i përgjigjet kërkesave dhe obligimeve nga EUROJUST-i.
Në nëntor 2022, institucioni i Prokurorit të Shtetit ka zyrtarizuar bashkëpunimin juridik me EUROJUST, duke caktuar prokurorin ndërlidhës të përhershëm si dhe një prokuror si pikë kontakti lidhur me implementimin e projektit “WB CRIM JUST”, i cili ka filluar të zbatohet në Ballkanin Perëndimor.
EUROJUST është agjenci e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, e cila trajton format e krimit të rëndë ndërkufitar. /Kp/Telegrafi/
The post Kërkohet që Kosova të jetë vëzhguese e përhershme në EUROJUST first appeared on Radio Televizioni Iliria.