Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka reaguar pasi autoritetet kosovare deklaruan se kanë blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Türkiye, transmeton Anadolu.
Lidhur me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimeve përkatëse, duke përfshirë Bayraktar TB-2, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, KFOR-i tha se “Komandanti i Forcave të Kosovës (KFOR) ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi Kosovë”.
KFOR ka theksuar se hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovë nga një vend në tjetrin për fluturime komerciale, derisa hapësira e poshtme ajrore “mund të përdoret për nevoja specifike, rast pas rasti dhe sipas autorizimit paraprak nga komandanti i KFOR-it”.
“Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, tha KFOR-i.
Tutje, KFOR-i ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) sipas mandatit të tyre fillestar, duke përfshirë operacionet e mbrojtjes civile, siç janë shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi, si dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme.
“KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e përmendur të OKB-së”, thuhet në reagim.
Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Türkiye dhe po ashtu njoftoi se edhe oficerë të FSK-së kanë kryer trajnim për përdorimin e dronëve.