RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Pezullimi i marrëveshjes godet sigurinë globale të ushqimit

pezullimi-i-marreveshjes-godet-sigurine-globale-te-ushqimit

Rusia ka pezulluar, të hënën, marrëveshjen e luftës, për lejimin e eksportit të drithërave nga Ukraina në vendet në Afrikë, Lindje të Mesme dhe Azi, ku uria është një kërcënim në rritje dhe ku çmimet e larta të ushqimeve kanë rritur varfërinë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia do të pezullojë Iniciativën për Drithërat e Detit të Zi, deri sa të plotësohen kërkesat e saj për të eksportuar prodhimet dhe plehrat e saj në botë. Edhe pse Rusia është ankuar se kufizimet në transport kanë penguar eksportet e saj bujqësore, ajo ka dërguar sasi rekorde të grurit kohëve të fundit.

“Kur të zbatohet pjesa e marrëveshjes së Detit të Zi që lidhet me Rusinë, Rusia do t’i kthehet menjëherë zbatimit të marrëveshjes”, tha Peskov.

Pezullimi shënon fundin e një marrëveshjeje që OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan verën e kaluar, për të lejuar dërgimin e ushqimit nga rajoni i Detit të Zi, pasi pushtimi i Rusisë ndaj fqinjit të saj, Ukrainës, përkeqësoi krizën globale të ushqimit. Nisma ka ndihmuar në uljen e çmimeve të grurit, vajit vegjetal dhe mallrave të tjera ushqimore.

Ukraina dhe Rusia janë furnizuesit kryesorë globalë të grurit, elbit, vajit të lulediellit dhe produkteve të tjera ushqimore, tek të cilat mbështeten vendet në zhvillim.

Marrëveshja e grurit dha garanci se anijet nuk do të sulmohen kur hyjnë dhe dalin nga portet e Ukrainës, ndërsa një marrëveshje tjetër e veçantë lehtësoi dërgesat e ushqimit dhe plehrave ruse. Sanksionet perëndimore nuk zbatohen për dërgesat bujqësore të Moskës, megjithatë, disa kompani në fillim ishin të kujdesshme në të bërët biznes me Rusinë për shkak të masave.

Autoritetet ukrainase nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment të hënën.

Pasojat e pezullimit të marrëveshjes

Pezullimi i marrëveshjes bëri që çmimet e grurit të rriten me rreth 3 për qind në tregun e Çikagos. Analistët nuk presin më shumë sesa një rritje të përkohshme të çmimeve të mallrave ushqimore, sepse vendet si Rusia dhe Brazili kanë rritur eksportet e grurit dhe misrit, por pasiguria ushqimore në mbarë botën po rritet.

Përmes Iniciativës për Drithërat të Detit të Zi, nga vetëm tre porte ukrainase është arritur të eksportohen 32.9 milionë tonë metrikë grurë dhe ushqime të tjera në botë – më shumë se gjysma e tyre janë dërguar në vendet në zhvillim, sipas Qendrës së Përbashkët të Koordinimit në Stamboll.

Në muajin maj, marrëveshja u rinovua edhe për 60 ditë të tjera, por muajt e fundit, sasia e ushqimit të dërguar dhe numri i anijeve që nisen nga Ukraina janë zvogëluar, me akuzat ndaj Rusisë për pengimin e anijeve shtesë për të marrë pjesë në eksportim.

Lufta në Ukrainë bëri që çmimet e mallrave ushqimore të rriten në nivele rekorde vitin e kaluar dhe kontribuoi gjithashtu në një krizë globale të ushqimit, të lidhur edhe me probleme të tjera, si efektet e vazhdueshme të pandemisë COVID-19, thatësirat dhe faktorë të tjerë klimatikë.

Kostot e larta për drithërat e nevojshme në vende si Egjipti, Libani dhe Nigeria përkeqësuan sfidat ekonomike dhe shtynë miliona njerëz në varfëri ose krijuan pasiguri ushqimore.

Kë prek më shumë pezullimi i marrëveshjes?

Rritja e çmimeve të ushqimeve prek njerëzit në vendet në zhvillim, në mënyrë disproporcionale, sepse ata shpenzojnë më shumë për ushqimin. Vendet më të varfra që varen nga ushqimi i importuar, me çmim të vendosur në valutën e dollarëve, gjithashtu po shpenzojnë më shumë, pasi valutat e vendeve të tyre po dobësohen dhe ata janë të detyruar të importojnë më shumë për shkak të ndryshimeve klimatike. Vendet si Somalia, Kenia, Maroku dhe Tunizia po luftojnë me thatësirën.

Sipas marrëveshjes, çmimet për mallrat ushqimore globale si gruri dhe vaji vegjetal kanë rënë, por ushqimi veçse ishte i shtrenjtë para luftës në Ukrainë dhe asnjë fije lehtësimi nuk ka prekur ende sofrën e njerëzve.

“Marrëveshja e Detit të Zi është absolutisht kritike për sigurinë ushqimore të një sërë vendesh dhe prishja e kësaj marrëveshjeje do të komplikojë problemet për ata që veçse po përballen me nivele të larta borxhi dhe ndryshime klimatike”, tha Simon Evenett, profesor i tregtisë ndërkombëtare dhe zhvillimit ekonomik në Universitetin e St. Gallen, në Zvicër.

Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë tha këtë muaj se 45 vende kanë nevojë për ndihmë të jashtme ushqimore.

Marrëveshja e grurit është përballur me pengesa që kur u ndërmjetësua nga OKB-ja dhe Turqia: Rusia u tërhoq shkurtimisht në nëntor përpara se të ribashkohej dhe të zgjaste marrëveshjen.

Rënia e vëllimit të eksportit

Në muajt mars dhe maj, Rusia zgjati marrëveshjen vetëm për 60 ditë, në vend të 120 ditëve të zakonshme. Sasia e drithërave të dërguara në një muaj, ra nga kulmi prej 4.2 milionë tonë metrikë në tetor në 1.3 milion tonë metrikë në maj, vëllimi më i ulët që kur filloi marrëveshja.

Eksportet u rritën në muajin qershor, në pak më shumë se 2 milionë tonë metrikë, falë anijeve më të mëdha që ishin në gjendje të transportonin më shumë ngarkesa.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për pengimin e anijeve të reja që t’i bashkohen punës që nga fundi i qershorit. Inspektimet e përbashkëta që synonin të siguronin që anijet mbanin vetëm grurë dhe jo armë gjithashtu po marrin më shumë kohë.

I pyetur të hënën nëse sulmi në urën e Kërçit, që lidh Gadishullin e Krimesë me Rusinë ishte një faktor në vendimin për marrëveshjen e grurit, zëdhënësi i Kremlinit tha se nuk ishte.

Ndërkohë, dërgesat ruse të grurit arritën nivelet më të larta të të gjitha kohërave pas të korrave të bollshme. Ajo arriti të eksportonte 45.5 milionë tonë metrikë në vitin tregtar 2022-2023, me një tjetër rekord prej 47.5 milionë tonësh metrikë që pritet në periudhën 2023-2024, sipas vlerësimeve të Departamentit të Bujqësisë të SHBA-së.

Përktheu: Forca Jashari /koha

Related posts

Netanyahu me plane për të armatosur popullin, pritet rritje e dhunës

admin

Jasharaj: Viti shkollor do të nisë me telashe, fajin e ka MASHTI me në krye ministren Nagavci

admin

Turqia zotohet se do të vazhdojë të mbështesë kauzën palestineze

rezart morina