Misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se herët në mëngjes, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, është informuar nga drejtori i Policisë së Kosovës për një inspektim teknik të planifikuar në urën kryesore mbi lumin Ibër.
Sipas një komunikate të KFOR-it, njësitë e tyre mbajnë një prani të përhershme në urë dhe vazhdojnë patrullimet e rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri për të gjitha komunitetet lokale.
“Ne nuk do të hezitojmë të ndërhyjmë në çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në përputhje të plotë me mandatin tonë të OKB-së,” thuhet në komunikatën e KFOR-it.
KFOR ka theksuar se qëndrimi i tyre ka qenë i qartë dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Ata ripërsëritën se çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Gjithashtu, është bërë e ditur se kompania “IPE-PROING” është përzgjedhur për të kryer punimet, dhe punëtorët e saj kanë dalë në terren të martën, më 6 gusht 2024, për të kryer matjet e nevojshme të urës.
Sipas Qeverisë plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës.
Megjithatë, shtetet e QUINT-it e kanë kundërshtuar planin e qeverisë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të premten se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës.