RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

KGjK kërcënon Qeverinë

kgjk-kercenon-qeverine

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj shprehet se në rast se me Ligjin për Paga, që tashmë është miratuar në Kuvendin e Kosovës, parashihet ulja e pagave për gjyqtarët do t’i shikojë të gjitha mundësitë që këtë Ligj ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Krahas këtyre veprimeve për këtë Ligj, Zogaj ndër të tjerash flet edhe për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë, mospajtimet me ekzekutivin por edhe punën e këtij institucioni gjatë vitit të kaluar.

Kreu i KGJK-së thotë se vazhdimisht ka pasur përpjekje për t’i ulur pagat e gjyqtarëve.

“Ka pas një përpjekje të vazhdueshme për të ulur pagat e gjyqtarëve, ne kur po flasim ende nuk e dimë se sa do të jetë paga e gjyqtarëve. KGJK do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese nëse në Ligjin për pagat do të ketë zbritje për pagat e gjyqtarëve, ne shpresojmë që do të ketë qartësim deri në masë të administratës gjyqësore, shpresoj që do të ketë rritje, sepse ende është enigmë çështja e vlerës së koeficienteve, por që vlerësimet preliminare nënkuptojnë se do të ketë ulje drastike të pagave, diçka që është krejtësisht e papranueshme për KGJK”, thekson Zogaj për KosovaPress.

“Nuk mund të ketë ulje të pagave të gjyqtarëve sepse janë legjitimuar pagat me ligj e vendim dhe realisht për 5 vite gjyqtarët kanë pranuar këto paga dhe në kohën e inflacionit të madh dhe krizës të ulen pagat është krejtësisht e papranueshme. Për fat të keq deri tani nuk kemi një refleksion të Avokatit të Popullit as në raport me vendimin e përparshëm dhe as të paktën deri tani të deklaruar me Ligjin e pagave, megjithatë pavarësisht kësaj. gjyqësori do të shikojë të gjitha mundësitë kushtetuese për ta ndjekur çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese”, shton ai.

Sa i takon Ligjit për Zyrtarët Publikë, i cili tashmë është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë opozitare PDK dhe LDK, Zogaj shprehet se ky Ligj dëmton organizimin e administratës dhe si i tillë është i papranueshëm edhe për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Gjatë vitit 2022 shpesh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por edhe vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë reaguar karshi vendimeve të gjykatave. Rasti i fundit ishte për ish-policin serb, Dejan Pantiq të cilit masa e paraburgimit iu zëvendësua me atë të arrestit shtëpiak.

Këto reagime të ekzekutivit karshi gjyqësorit, Zogaj i konsideron të papranueshme dhe ndërhyrje në sistemin gjyqësor. Ai thotë se vendimet e gjyqtarëve duhet pranohen e jo të komentohen, aq më pak nga kryeministri i vendit.

“Ndërhyrjet e qeverisë përmes interpretimit të vendimeve të gjyqësorit tash nuk janë të pazakonta, kemi në mënyrë të përsëritura, kemi sjellje të tilla të qeverisë në raport me punën e gjyqësorit, por që realisht kjo është një situatë e papranueshme ekzaktësisht siç e ka thënë edhe komunikata e KGJK që të gjithë duhet t’i pranojnë vendimet e gjyqësorit, madje edhe ne që jemi pjesë përbërëse e gjyqësorit dhe administrojmë me drejtësinë, nuk kemi të drejtë t’i komentojmë vendimet e gjyqësorit. Në rastin konkret (të ish-policit Pantiq) gjyqtari kompetent i çështjes në kuadër të departamentit kompetent ka kryer detyrat kushtetuese dhe ligjore duke vendosur për çështjen sipas një kërkese që ka ardhur po ashtu nga një autoritet kompetent. Kjo është ndërhyrje direkte në punën e gjykatave, paramendoni në një vend demokratik kryeministri të interesohet për emrin e gjyqtarit që vendos për një çështje gjyqësore, është absurde dhe e papranueshme”, shprehet Zogaj.

Në “tensionim” të raporteve mes gjyqësorit dhe ekzekutivit ndikoi edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për ulje të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, vendim për të cilin më pas Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e përkohshme të pezullimit.

Kryesuesi i KGJK-së shprehet se në këtë situatë kur siç tha ai, vazhdimisht janë atakuar në forma më të vrazhda nga qeveria kanë vendosur ta reduktojnë komunikimin. Madje, ai thotë se të gjithë gjyqtarët tashmë kanë marrë pagat e muajit dhjetor siç i kanë marr për 5 vitet e fundit.

Related posts

Mbyllen 4 komuna paralele që kanë operuar ilegalisht në Dragas

rezart morina

Përmbytje në Stamboll, shënohen viktima

rezart morina

Ministri i Jashtëm i Polonisë rrit tensionet: Ushtarët e NATO-s janë të pranishëm në Ukrainë

admin