Kili, Argjentina, Bolivia dhe Peru kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin rajonal për mineralet strategjike, veçanërisht bakrin dhe litiumin, transmeton Aandolu.
Deklarata synon të nxisë investimet e përgjegjshme, të forcojë zinxhirët rajonal të furnizimit dhe të thellojë bashkëpunimin në fushën e informacionit gjeologjik, rregullimit dhe zhvillimit teknologjik.
Sipas raportimeve, katër vendet synojnë të përfitojnë nga pasuritë e tyre minerare dhe të forcojnë pozicionin e tyre si furnizues global të burimeve që konsiderohen kritike për tranzicionin energjetik dhe industri të tjera strategjike.
Ministri i Ekonomisë dhe Minierave i Kilit, Daniel Mas, tha se kërkesa në rritje e lidhur me tranzicionin energjetik dhe zgjerimin e inteligjencës artificiale mund ta rrisë kërkesën globale për minerale kritike me 400 deri në 600 për qind gjatë dekadës së ardhshme.
Sekretari i Minierave i Argjentinës, Luis Lucero, theksoi potencialin gjeologjik të rajonit dhe tha se katër vendet mund të forcojnë rolin e tyre në prodhimin global të bakrit përmes projekteve afatgjata minerare.
Zv/ministri bolivian për Politikat Minerare, Rregullimin dhe Mbikëqyrjen, Walter Landivar, tha se sfida rajonale ishte “transformimi i burimeve minerare në mundësi për prodhim me vlerë të shtuar më të madhe, zhvillim ekonomik dhe integrim teknik”.
Deklarata përcakton mekanizma bashkëpunimi që përfshijnë informacionin gjeologjik, politikat minerare, standardet rregullatore dhe kriteret e mbikëqyrjes, ndërsa synon një koordinim më të madh mes katër vendeve.
Qeveritë gjithashtu ranë dakord të krijojnë grupe pune për zhvillimin e nismave të përbashkëta në fusha që përfshijnë kërkimet gjeologjike, trajnimin e specializuar dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor për sektorin minerar.
Marrëveshja gjithashtu bën thirrje për bashkëpunim me institucionet shumëpalëshe për të kërkuar mbështetje teknike dhe financiare për projektet që lidhen me mineralet strategjike.
Kili, prodhuesi më i madh i bakrit në botë, si dhe Argjentina kanë burime të konsiderueshme bakri, ndërsa Bolivia ka disa nga burimet më të mëdha të litiumit në botë. Peru është gjithashtu ndër prodhuesit kryesor të bakrit në botë.
Deklarata vjen në një kohë kur vendet synojnë të sigurojnë furnizime me minerale kritike të nevojshme për teknologjitë e energjisë së rinovueshme, automjetet elektrike, bateritë dhe industritë e avancuara.
Marrëveshja pasqyron përpjekjet në rritje mes vendeve të Amerikës së Jugut për të koordinuar politikat minerare dhe për të tërhequr investime, ndërsa kërkesa globale për bakër, litium dhe minerale të tjera strategjike vazhdon të rritet.

