Sipas një raporti të fundit, Kina arriti të merrte informacion nga zonat ushtarake të SHBA-së duke përdorur balonën e madhe të spiunazhit, që zyrtarët amerikanë e rrëzuan në fillim të shkurtit.
“Balona u drejtua nga Kina ndërsa fluturonte, dhe kryesisht ndërpriste sinjalet elektronike”, raportoi “NBC News”.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën të ndalonin balonën përmes masave parandaluese”, thanë zyrtarët e paidentifikuar.
Sipas raportit, balona mund të dërgojë informacion në Pekin në kohë reale.
Një avion luftarak amerikan rrëzoi balonën pranë bregut të Karolinës së Jugut, më 4 shkurt.
Kina tha se objekti po përdorej për kërkime meteorologjike dhe se kishte dalë jashtë kursit.
“Balona, e cila ishte e madhe sa tre autobusë shkollorë, u pa për herë të parë mbi Alaskë më 28 janar”, sipas administratës së Biden.
Kina, më vonë tha se SHBA-ja kishte dërguar balona të shumta spiunazhi mbi hapësirën e saj ajrore, pretendime të cilat SHBA-ja i ka mohuar.
“Në mënyrë të përsëritur dhe të gabuar Kina ka pretenduar se balona e spiunazhit, që dërgoi mbi SHBA-në, ishte një balonë meteorologjike dhe se deri më sot ka dështuar në dhënien e ndonjë shpjegimi të besueshëm, lidhur me ndërhyrjen e saj në hapësirën tonë ajrore apo edhe në vende të tjera”, tha në shkurt zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson.
SHBA-ja, gjithashtu rrëzoi objekte të paidentifikuara mbi Alaskë, liqenin Huron dhe Yukon të Kanadasë, në muajin shkurt.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se nuk kishte prova që sugjeronin se ato objekte kishin lidhje me mbikëqyrjen kineze. /atsh