Ministria e Jashtme e Kinës ka fajësuar SHBA-në për pushtimin rus të Ukrainës duke pretenduar se Uashingtoni krijoi kushtet që çuan në luftë.
Gjithashtu, ministria ka dënuar dërgesat e armëve nga SHBA-ja si shkak për ndezjen e konfliktit afro njëvjeçar.
“SHBA-ja është ajo që shkaktoi krizën në Ukrainë dhe faktori më i madh që e nxiti atë, duke vazhduar t’i shesë Ukrainës armë të rënda, gjë që vetëm e ka intensifikuar konfliktin”, tha sot zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.
Deklarata e saj erdhi si një përgjigje ndaj pretendimeve të SHBA-së, se kompanitë kineze i kanë ofruar mbështetje palës ruse.
Ning i hodhi poshtë pretendimet e Uashingtonit, duke i konsideruar ato si ‘dyshime të pajustifikuara’ dhe ‘shantazhe të pabaza’.
“Kina nuk do të rrijë në heshtje ndërsa sheh SHBA-në që dëmton të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive kineze”, shtoi zëdhënësja. /atsh