Kina ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian (BE) për sanksionimin e kompanive kineze që bëjnë biznes me Rusinë.
“Ne i bëjmë thirrje BE-së të mos shkojë në këtë rrugë të gabuar. Përndryshe, Kina do të ndërmarrë veprime të forta për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime dhe të ligjshme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin.
Wang po i përgjigjej një raporti në gazetën “Financial Times” në lidhje me masat e reja ndëshkuese të BE-së që synojnë ndëshkimin e Rusisë për pushtimin e saj të vazhdueshëm të Ukrainës.
Sipas raportit të “Financial Times”, Komisioni Evropian ka propozuar përfshirjen e masave kundër shtatë kompanive kineze në paketën e ardhshme të sanksioneve të BE-së.
Kompanitë dyshohet se kanë furnizuar Rusinë me produkte që mund të përdoren për armët nga ushtria ruse.
Përfaqësuesit nga 27 vendet anëtare të BE-së kanë planifikuar të diskutojnë të mërkurën propozimet e sanksioneve në Bruksel.
Blloku planifikon të miratojë paketën e njëmbëdhjetë të sanksioneve kundër Rusisë këtë muaj.
Sipas “Financial Times”, prodhuesi kinez i gjysmëpërçuesve 3HC është ndër kompanitë që mund të shënjestrohet në paketën e sanksioneve.
Kompania dyshohet se ka tentuar të anashkalojë kontrollet e eksportit për të furnizuar pjesë elektronike për industrinë ushtarake dhe të armatimeve të Rusisë.
Kompani të tjera përfshijnë furnizuesin e mikroelektronikës “King Pai Technology”, “Sinno Electronics” dhe “Sigma Technology”, të cilat tashmë janë subjekt i sanksioneve të SHBA-së.