Mijëra njerëz janë zhvendosur në vende më të sigurta pas tërmetit të fuqishëm që goditi Kinën jugperëndimore të hënën pasdite, duke lënë 62 të vdekur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mbi 12 persona janë ende të zhdukur dhe 248 të tjerë janë lënduar, ndërsa ushtarët e Armatës Çlirimtare Popullore po kryejnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe të ndihmës, njoftuan mediat shtetërore kineze.
Më shumë se 50 mijë njerëz janë zhvendosur, sipas raportimeve.
Sipas Qendrës së Rrjeteve të Tërmeteve në Kinë, tërmeti u regjistrua në qarkun Luding të rajonit autonom tibetian Garze në një thellësi prej 16 kilometrash në orën 12:52 sipas kohës lokale (04:52 GMT) të hënën.
Ndihma në zonën e goditur arriti rreth mesnatës së të hënës, ndërsa 1.900 oficerë, ushtarë dhe policë të armatosur u dislokuan për t’iu bashkuar operacioneve të shpëtimit, raportoi e përditshmja kineze Global Times.
Rreth dhjetë dridhje më të vogla janë ndier në zonat përreth.
Presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për “mobilizim të gjithanshëm të shpëtimit për të minimizuar viktimat” pas tërmetit, sipas mediave lokale.
Ai kërkoi forcimin e monitorimit të tërmeteve, mbrojtjen nga fatkeqësitë dytësore dhe akomodimin e duhur të të prekurve.
Ndërkohë, presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen shprehu ngushëllimet e saj për viktimat e tërmetit, njoftoi sot zëdhënësi i saj Xavier Chang.
Agjencia Kombëtare e Zjarrfikësve të shtetit ishullor të vetëqeverisur tha se një ekip i pajisur plotësisht prej 40 anëtarësh “është i gatshëm të ndihmojë në përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit në Sichuan sipas udhëzimeve” të Ministrisë së Jashtme dhe Këshillit të Çështjeve Kontinentale. /aa