Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet ka kërkuar nga ministrat e jashtëm që të caktojnë një seancë të jashtëzakonshme për Kosovën.
Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se është çmenduri të ndalohet progresi i Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Ministrat e Jashtëm në Strasburg duhet ta caktojnë një datë të re për një takim të jashtëzakonshëm brenda javësh, që të votohet për aplikimin e Kosovës sapo të ecë në çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo do t’i çonte sinjal të qartë Serbisë se shtetësia e Kosovës është e qëndrueshme dhe ruan mbështetjen e plotë të demokracive evropiane”, ka shkruar ai.
Knaus poashtu tha se është fatale për ministrat e jashtëm nëse sot, më 17 maj, injorojnë “formulën e Ahtisaarit për paqe, rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka shkruar ai.
Knaus ka përmendur edhe propozimin e Qeverisë së Kosovës për të cilin ka thënë se është shumë i mirë, për çështjen e Asociacionit të lidhur me anëtarësimin në Këshill.
Agjenda për takimin e 16 e 17 majit e ka lënë Kosovës jashtë rendit të ditës. Zëdhënësi i KiE Daniel Holtgen, pati thënë se çështja e Kosovës nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave dhe se për momentin nuk dihet se kur mund të jetë.