Katër palestinezë janë plagosur pasi kolonët izraelitë sulmuan fermerë që po korrnin ullinj në zonën Wadi al-Shaer në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.
Ibrahim al-Hamad, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë në provincën Salfit, tha për Anadolu se “një grup kolonësh sulmuan fermerët me mjete të mprehta ndërsa po mblidhnin ullinj dhe dëmtuan pesë automjete të palestinezëve”.
Ai tha se të plagosurit u dërguan në spitalin “Yasser Arafat” në Salfit me mavijosje dhe fraktura. Al-Hamad tha se kolonët izraelitë kanë kryer një sërë sulmesh ndaj fermerëve në pjesë të ndryshme të provincës gjatë sezonit të korrjes së ullinjve.
Në Bregun Perëndimor janë shtuar sulmet nga kolonët izraelitë dhe forcat izraelite ndaj fermerëve palestinezë, tokave dhe pronave të tyre, veçanërisht që nga fillimi i sezonit të korrjes së ullinjve në muajin tetor, mes kufizimeve për qasjen në tokat bujqësore.
Sipas Komisionit Palestinez për Kolonizimin dhe Rezistencën ndaj Murit, kolonët izraelitë që nga tetori i vitit 2023 kanë kryer më shumë se 14.742 sulme në të gjithë Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, duke vrarë 66 palestinezë.
Komisioni theksoi se sulmet kanë dëmtuar, shkulur, djegur ose helmuar 147.111 pemë, përfshirë 100.485 ullinj.

