Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor (CERD) shprehu shqetësim të madh për deklaratat e zyrtarëve izraelitë që kërcënojnë t’i shkaktojnë Libanit “të njëjtin nivel shkatërrimi” si në Gaza dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund retorikës që çhumanizon popullsinë libaneze, transmeton Anadolu.
Duke vepruar në kuadër të Procedurës së Paralajmërimit të Hershëm dhe Veprimit Urgjent, CERD theksoi se ndalimi i diskriminimit racor nuk mund të pezullohet gjatë konflikteve të armatosura.
CERD tha se është i alarmuar nga vdekjet e civilëve, zhvendosja masive dhe shkatërrimi i gjerë si pasojë e operacioneve ushtarake izraelite në Liban, përfshirë sulmet ajrore, bombardimet dhe përdorimin e armëve shpërthyese në zona me dendësi të lartë të popullsisë.
Komiteti përmendi gjithashtu një deklaratë të ministrit izraelit të Mbrojtjes, i cili i cilësoi “banorët shiitë të 24 fshatrave në jug të Libanit si armiq”, duke justifikuar shkatërrimin e plotë të shtëpive të tyre.
Ai i bëri thirrje Izraelit të “ndalojë përdorimin e retorikës që çhumanizon popullsinë e Libanit” dhe të përmbahet nga retorika që “legjitimon ndëshkimin kolektiv ose nxit dhunën”.
Sipas komitetit, më shumë se 4.300 persona janë vrarë dhe të paktën 12.200 janë plagosur.
Më shumë se 1 milion persona u zhvendosën në më pak se tri javë në mars, pas urdhrave për zhvendosje që prekën të paktën 189 qytete dhe fshatra, shtoi ai. Në fund të korrikut, më shumë se 360.000 persona mbetën të zhvendosur, përfshirë rreth 27.200 që qëndronin në strehimore kolektive.
CERD shprehu shqetësim për raportimet se fshatra të tërë në jug të Libanit janë bërë të pabanueshme, ndërsa shtëpitë dhe infrastruktura civile, përfshirë shkollat, objektet shëndetësore, infrastrukturën e ujit dhe energjisë elektrike, objektet e kultit dhe tokat bujqësore, janë shkatërruar nga sulmet dhe shembjet.
CERD ngriti shqetësime edhe për raketat e lëshuara nga grupi libanez Hezbollah drejt zonave të banuara në Izrael, të cilat, sipas tij, kanë shkaktuar viktima civile dhe dëme në infrastrukturën civile.
Komiteti u bëri thirrje Izraelit dhe të gjitha palëve në konflikt që menjëherë të ndalojnë sulmet e drejtuara kundër civilëve dhe objekteve civile, si dhe sulmet joselektive që i prekin ato.
CERD i bëri gjithashtu thirrje Izraelit të tërheqë urdhrat e përgjithshëm për zhvendosje dhe evakuim në Liban dhe të lehtësojë kthimin e sigurt, vullnetar dhe dinjitoz të personave të zhvendosur.
Gjithashtu, ai bëri thirrje për qasje të papenguar humanitare dhe u kërkoi shteteve të përmbahen nga transferimi i armëve ose pajisjeve ushtarake kur ekziston rrezik i qartë se ato mund të përdoren për të lehtësuar shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.

