Anëtari kroat i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Zheljko Komshiq deklaroi se Turqia është një vend që ka fituar besimin e të gjithëve në rajon.
Komshiq i cili ishte i pranishëm në Ankara për të marrë pjesë për ceremoninë e betimit të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, në një prononcim për Anadolu foli për marrëdhëniet Bosnjë e Hercegovinë-Turqi dhe pritshmëritë e tij.
Ai tha se dy vendet kanë një histori të gjatë, traditë dhe kulturë që i lidh me njëra-tjetrën. Komshiq i cilësoi marrëdhëniet si “tradicionale dhe miqësore”.
“Në periudhën e presidentit Erdoğan marrëdhëniet e Turqisë kanë arritur në nivel më të mirë jo vetëm me BeH por me të gjithë Ballkanin Perëndimor. Turqia, ashtu si në BeH edhe në punët e brendshme të vendeve është bërë një mike dhe faktor i besueshëm stabiliteti për marrëdhëniet rajonale në Ballkanin Perëndimor”, tha Komshiq.
“Për shembull në tensionet e fundit në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kërkoi që edhe Erdoğan të ndërhyjë në zgjidhjen e problemit”, deklaroi Komshiq i cili shtoi se e mirëpret pozitivisht rolin e Turqisë ndaj zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.
Pasi ka tërhequr vëmendjen se Turqia luan rol aktiv në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, Komshiq theksoi se ndikimi i saj në rajon kryesisht në BeH sa vjen e rritet dhe se kjo shkakton një lloj zhgënjimi tek SHBA-ja, Britania e Madhe dhe vendet e BE-së.
Ai nënvizoi se pritshmëritë e tij janë që marrëdhëniet mes BeH-së dhe Turqisë do të vazhdojnë duke u forcuar.
“Fitorja e presidentit Erdoğan në zgjedhjet e fundit jep shpresë në drejtimin se marrëdhëniet dypalëshe do të jenë më të mira”, u shpreh anëtari kroat i Presidencës së BeH-së.
“Ka një pikë që po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në BeH, e cila është ndikimi i fortë politik i Türkiye-s në Ballkanin Perëndimor ose më saktësisht mund të them ndikimi i saj në zgjidhjen e probleme në një rajon me mundësinë për konflikt të vazhdueshëm dhe rrezik. Turqia është një vend që ka autoritet në të gjitha vendet e rajonit dhe ka fituar besimin e të gjithëve”, potencoi Komshiq.