Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka vlerësuar se rajoni dhe Evropa janë në një periudhë të rëndësishme dhe kritike për paqen dhe sigurinë.
Ai ka thënë se për këtë duhet bashkëpunim rajonal dhe aleanca të vendeve demokratike duke parë se ato të shteteve jo-demokratike po rriten.
“Jemi në një periudhë të rëndësishme dhe kritike për paqen dhe sigurinë në rajon kur e kemi parasysh realitetin shumë sfidues ku ndodhet rajoni ynë dhe Evropa në përgjithësi”, tha Konjfuca, në konferencën Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe integrimin “euro-atlantik”, përcjell teve1.info.
Ai në këtë konferencë të organizuar nga fondacioni Friedrich Ebert, tha se nocioni trans-atlantik është shumë i rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.
“Për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj, termi trans- atlantik është shumë i rëndësishëm. Jemi dëshmitarë edhe vet si popull se pa funksionimin e trans-atlantikes do të kishte qenë e vështirë edhe liria e Kosovës dhe shpallja e pavarësisë ishte një proces i koordinuar trans- atlantik”, tha Konjufca.
Kryeparlamnetari foli edhe për rëndësinë e diplomacisë, sidomos në kohë krizash. Ai vlerësoi se luftërat nuk e mundin diplomacinë dhe se ajo vazhdon të mbetët e rëndësishme.
Konjufca po ashtu vlerësoi rolin e diplomacisë parlamentare, si urë lidhëse për bashkëpunim të qëndrueshëm.
“Diplomacia parlamentare padyshim që është e rëndësishme, ajo është formë komplementare e diplomacisë konvencionale-qeveritare dhe është një nga mjetet më të fuqishme për të ndërtuar marrëdhënie bilaterale dhe bashkëpunim të qëndrueshëm. Kjo periudhë e ka vërtetuar rritjen e bashkëpunimit parlamentar për vendet e rajonit, duke qenë sa më afër njëra tjetrës duke para parasysh se aleanca ndërmjet vendeve jo demokratike po rriten”, tha Konjufca.
Në këtë konferencë pjesëmarrës do të jetë edhe kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla si dhe disa nga ambasadorët e akredituar në Kosovë.

