RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Koreja e Veriut: Lëshimi i raketës kishte qëllim të “trembte armiqtë”

koreja-e-veriut:-leshimi-i-raketes-kishte-qellim-te-“trembte-armiqte”

Koreja e Veriut tha të premten se ka lëshuar qëllimisht një raketë balistike ndërkontinentale për të “trembur armiqtë”, teksa Koreja e Jugut dhe Japonia, gjatë një samiti të përbashkët, u pajtuan të punojnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sigurinë rajonale.

Raketa e Koresë së Veriut u lëshua të enjten në mëngjes, disa orë para se presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol të takonte kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida në një samit që kishte si qëllim rikthimin e lidhjeve të sigurisë, përballë të kërcënimeve bërthamore nga Koreja e Veriut.

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden po përpiqet të forcojë aleancat e saja në Azi, për të kundërshtuar kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut, dhe ndikimin në rritje të Kinës.

Një nga këto përpjekje është të përmirësojë lidhjet Kore e Jugut – Japoni, që janë ftohur viteve të fundit për shkak të çështjeve historike.

Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut tha se lideri Kim Jong Un mbikëqyri testimin e raketës Hwasong-17 dhe theksoi nevojën për të “trembur armiqtë” mbi atë që e quajti “armiqësinë e hapur të treguar ndaj vendit të tij nga stërvitjet ushtarake SHBA-Kore e Jugut”.

Shumë ekspertë thonë se Koreja e Veriut përdor stërvitjet e rivalëve të saj si një pretekst për të zgjeruar në mënyrë agresive arsenalin e saj bërthamor dhe aftësinë e përgjithshme ushtarake.

Ata thonë se vendi synon të detyrojë SHBA-në të pranojë statusin e tyre si një fuqi bërthamore dhe të negociojë përfundimin e sanksioneve ndaj tij nga një pozicion fuqie.

Koreja e Veriut, vitin e kaluar ka miratuar ligjin për shpallje të vetes si shtet me armë bërthamore. Lideri i shtetit, Kim Jong-un, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje.

Pheniani zyrtar ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017, pavarësisht sanksioneve.

Ky shtet në lindje të Azisë dënon vazhdimisht sanksionet dhe deklaron se sistemi bërthamor i duhet për qëllime të mbrojtjes. /rel

Related posts

India zbulon vaksinën e saj të parë kundër kancerit cervikal

admin

30 ditë paraburgim për serbin Sasha Zlatkoviç, nxiti urrejtje në Deçan, u kap në Merdare

rezart morina

Evropa mban numrin më të lartë të refugjatëve që nga viti 2016

rezart morina