Forca e Sigurisë së Kosovës është një hap afër blerjes së sistemeve raketore anti – tank, “Javeline”.
Institucionet e vendit janë në fazën e pagesës së këtij armatimi të sofistikuar i cili vlerësohet se do ta forcojë më shumë ushtrinë e Kosovës.
Kështu bëri të ditur për Tëvë1 zv.ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla.
“Po është në fazën kur ne kemi filluar pagesat t’i bëjmë realisht kjo ka shkuar mirë d.m.th është lajm i mirë që ne do të pajisemi me ato mjete që janë shumë efikase që në projektet tona të ushtrisë sonë janë të paraparë të jenë armë që i nevojiten krahas zhvillimit të ushtrisë sonë. Jo me thënë të drejtën nuk e dimë (afatet) por kjo është një fazë që shkon varet se si është niveli i kontratave dhe sigurimi i tyre nuk është e lehtë duhet kaluar disa procedura për të ardhë të këto pajisje”, tha Syla.
Ai foli edhe për stërvitjen më të madhe të aleatëve të NATO-s në Ballkan, e njohur si “Defender Europe ‘23”.
Sipas tij, këtë vit Kosova do të marrë pjesë dhe që vitin e kaluar përjashtimi i vendit nuk kishte pasur efekte negative.
“Po është pjesë e këtij ushtrimi ne ju kemi lajmëru edhe më herët kemi dhënë info që do të jemi pjesë e këtij ushtrimi siç kemi qenë edhe më parë. Në pjesën që e përfunduam në vitin 2023 dihet se në fund ishte një masë ndaj nesh por ne kishim përfunduar veç ushtrimin ajo nuk ishte pasoja për sa i përket arritjes së nivelit në përjashtim të asaj mase që dihej se ishte si masë politike në aspektin e përgjithshëm në kuadër të Qeverisë së Kosovës”, shtoi ai.
Kurse për largimin e pjesëtarëve të komunitetit serb nga FSK-ja, numri dy i Ministrisë tha se është duke u bërë për shkak të presionit nga shteti serb.
“Ka qenë një fazë në të cilën nga presioni i madh i shtetit serb janë larguar një pjesë por ka ende dhe ka edhe interesim por situata e tensionuar në vazhdimësi të angazhohen më shumë por ka të interesuar tani kur rrethanat janë ndryshe, por besoj në rekrutimin tjetër që e kemi 600 pjesëtarë që do t’i bëjmë brenda këtij viti do të ketë të interesuar më shumë nga komuniteti serb”.
Po ashtu, Syla tregoi se janë duke analizuar të gjitha informacionet që vijnë nga organizmat e sigurisë vendore dhe ato ndërkombëtare sa i përket indikatorëve për një sulm të ri në veri të vendit.