Kryesuesi i Komisionit për të pagjeturit në Kosovë, Andin Hoti ka njoftuar se Republika e Kosovës ka filluar me kërkesat e saj për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Hoti ka publikuar edhe shkresën me të cilën shteti i Kosovës i është drejtuar Serbisë për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me force gjatë luftës.
“Ne kemi kërkuar nga Presidenti i Serbisë, të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Kjo brigadë, përveç tjerash ka kryer krime në regjion të Drenicës. Nga masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës nga kjo njësi, ka ende civilë shqiptarë të zhdukur”, tha ai.
Hoti tutje tha se “shkresa e parë fillon me Drenicën, sepse pikërisht në Drenicë, Serbia ka filluar me krimet masive ndaj popullit shqiptar”.