RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kosova kërkon penalizimin ndërkombëtar të Serbisë

kosova-kerkon-penalizimin-nderkombetar-te-serbise

Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit i hap rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e BE-së. Por Beogradi nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që lidhen me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Kosova i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që ta penalizojë Serbinë për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit, pasi Presidenti serb Vuçiq tha se “nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, kurse të tjerat po.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ka thënë se nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë. Këtë deklaratë sekretari Blinken e bëri para Senatit amerikan, pas një pyetjeje që ju bë lidhur me përpjekjet e tij për t’i bindur pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën.

“Sigurisht është një çështje që vazhdojmë ta ngremë, por unë mendoj gjithashtu se kjo marrëveshje, nëse ecën përpara në fakt na vendos në një rrugë drejt njohjes nga këto vende”, tha Sekretari Blinken. Sipas tij, meqenëse “të dyja vendet kanë rënë dakord në parim që ta bëjnë një gjë të tillë, është që këto angazhime janë pjesë e planeve të të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, prandaj shpresoj që kjo të jetë një nxitje që ato t’i zbatojnë angazhimet”.

Blinken: Njohja e Kosovës nga Serbia do të kërkojë kohë

Sekretari Blinken, pranoi se njohja e Kosovës nga Serbia është tjetër çështje që do të dojë kohë, “por nëse ato arrijnë në një marrëdhënie të normalizuar, kjo do të kishte një efekt pozitiv dhe besoj se me kalimin e kohës do të arrijmë në atë pikë, por mendoj se për pesë vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, fakti që këto vende (Kosova dhe Serbia) kanë arritur marrëveshjen dhe duke supozuar që do ta zbatojnë, kjo do t’i shtyjë ato drejt njohjes”.

Pas takimit të 18 marsit në Ohër, menjëherë sapo shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel dhe zyrtarët e lartë amerikanë, deklaruan se zbatimi i aneksit të marrëveshjes për normalizim që Kosova dhe Serbia u pajtuan në Ohër është ligjërisht i detyrueshëm, filluan përplasjet në distancë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ishte një deklaratë e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se qëndrimi i tij sa i përket marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën nuk ka ndryshuar, por ripërsëriti se Beogradi “nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.

Ka apo nuk ka marrëveshje?

“Nuk ka bisedime për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje. Çdo gjë tjetër që nënkupton normalizim të vërtetë të raporteve, pa tensione dhe pa konflikte, Serbia do t’i zbatojë”, deklaroi Vuçiq në Beograd. Kjo deklaratë e tij, nxiti reagimin e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, e cila tha se “pa kaluar 24 orë nga pajtimi për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, Beogradi deklaroi se nuk do ta zbatojë atë”. Presidentja i bëri thirrje “komunitetit ndërkombëtar që ta drejtojnë “presionin mbi Serbinë” që të respektojë detyrimet që ka marrë nga marrëveshja bazë e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe nga aneksi, për të cilën palët u dakorduan në Ohër më 18 mars.

“Mendoj që të gjitha përpjekjet, i gjithë presioni, angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë pikërisht te Vuçiqi që ato për të cilat ai është dakorduar, që në esencë përbëjnë njohje de facto të Kosovës, sepse kur ja njeh dikujt sovranitetin, kur e njeh si të barabartë në relacionet ndërshtetërore, kur ja njeh dikujt integritetin territorial, këto janë elementet shtetërore të shtetësisë. E vetmja që mungon është një letër njohjeje të cilën nuk e ka nënshkruar”, tha Osmani. Sipas saj, “përderisa Vuçiqi refuzon t’i zbatojë këto, atëherë kjo vërtetë rrezikon gjithçka”.

Kurti: Tani BE-ja duhet të tregojë veten

Edhe kryeministri Albin Kurti, duke komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi se “nuk do të zbatojë pjesë të marrëveshjes ku thuhet se nuk do të pengohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha se BE-ja “duhet të dëshmohet tani” që marrëveshja të respektohet.

“Ne kemi marrëveshje, kishim marrëveshje më 27 shkurt, bëmë sërish marrëveshje më 18 mars dhe që të dyja janë marrëveshje. BE-ja po thotë që është marrëveshje, në anën tjetër keni deklarata të palës serbe e cila tregon se si nuk e ka ndërmend të zbatojë diçka apo se si tashmë po shkel diçka tjetër. Por, ne nuk do të mund të merremi me këtë, andaj ekziston ndërmjetësuesi. Tash, BE-ja është ajo që duhet të sigurojë që marrëveshjet e dakorduara duhet të zbatohen në terren”, tha Kurti. Deri tash askush nga autoritetet ndërkombëtare, nuk ka komentuar deklaratat e Presidentit të Serbisë, rreth zbatimit të marrëveshjes. Por, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, menjëherë pas takimit të Ohrit, tha gjatë raportimit para ministrave të jashtëm të BE-së, se “zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, do të mbikëqyret nga një komision i përbërë nga të dyja vendet dhe Bashkimi Evropian”. Sipas tij, “ajo është ligjërisht e obligueshme”.

“Këto marrëveshje hyjnë në fuqi me deklaratën që e lëshova. Nuk ishte nënshkrim për shkaqe ligjore, por dyja palët u pajtuan se deklarata ime është përkushtim nga ana e tyre për të plotësuar tërësisht obligimet që dalin nga kjo marrëveshje e aneksi i implementimit”, tha Borrell.

Sidoqoftë, ndër pikat propozimit evropian që u dakorduan Kosova dhe Serbia, është që të gjitha marrëveshjet e mëparshme, pra 39 sosh, duhet të respektohen. Ndër to është edhe marrëveshja që Prishtina duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Në nenin 7 të marrëveshjes, kërkohet sigurimi i një “niveli adekuat të vetëmenaxhimit për komunitetin serb”. Autoritetet ndërkombëtare këtë nen po e interpretojnë si “zbatim i detyrimeve që Kosova ka marrë më 2013”, përkatësisht për marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për këtë Presidentja Vjosa Osmani, tha: “Kjo për mua si presidente e Republikës nënkupton respektim të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç kam thënë nga viti 2015 e tutje. Bashkimi i komunave ose qytetarëve në asociacione është e drejtë që Kosova tashmë e njeh me Kushtetutën e saj”. Osmani shtoi se “ky nen mund të zbatohet vetëm përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015”.

Marrëveshje e detyrueshme

Kosova dhe Serbia ranë më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut dakord për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit. Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara thanë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, ajo është marrëveshje e detyrueshme për palët. Marrëveshja që u publikua nga Bashkimi Evropian me 27 shkurt në Bruksel, ka 11 nene, por nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja palët që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë edhe pasaportat, diplomat dhe targat. (DW)

Related posts

Kryediplomati turk dhe homologu iranian diskutuan mbi hapat për uljen e tensioneve rajonale

Muhamet Ramadani

Arrestohet pronari i objektit në Prizren ku vdiq 19-vjeçari

Muhamet Ramadani

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, më 21 maj, u mbajt ceremonia e hapjes së stërvitjeve ushtarake të ushtrisë amerikane dhe NATO-s në Evropë, “Defender Europe 2023” [Mbrojtësi i Evropës 2023]. Nga sot e deri më 2 qershor, Kosova do të jetë nikoqire e stërvitjes më të madhe ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe”, që do të mbahet në Babaj të Bokës të Gjakovës. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier dhe figura të tjera publike. Duke ju drejtuar ushtarëve të FSK-së, Osmani tha se ata janë “gardianë të paqes dhe sigurisë, në një botë gjithnjë e më komplekse dhe në zhvillime gjithnjë e më sfiduese”. “Ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol i vendosmërisë sonë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht. Është një kujtesë që forca jonë nuk qëndron vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne ndërtojmë dhe në vlerat e përbashkëta që i kultivojmë”, tha ajo. Ndërsa, Kurti tha se kjo është ngjarja më e madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë. “Mbi 1.300 ushtarakë të FSK-së do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake, në krah të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partneret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai. Ministri Mehaj tha se Kosova do të jetë vendi i katërt – me më së shumti ushtarakë që do të marrin pjesë në këtë stërvitje – në mesin e 25 vendeve pjesmarrëse. Ambasadori Hovenier tha se derisa agresioni rus i Ukrainës po vazhdon, është veçanërisht e rëndësishme të vihet në pah një ushtrim si “Defender Europe 2023”. “Një ndër qëllimet e kësaj stërvitje është që të tregohet aftësia e forcave ushtarake të SHBA-së për të zbatuar shpejt trupat dhe pajisjet e gatshme për luftë, për të siguruar aleatët, për parandaluar ata që mund të kërcënojnë paqen në Evropë dhe për ta mbrojtur këtë kontinent nga agresioni”, tha ambasadori amerikan. Sipas tij, stërvitjet kanë edhe një qëllim tjetër “që të shfaqë përkushtimin e aleatëve dhe partnerëve tanë evropian për të përmirësuar shkallën, kapacitetet dhe ndërveprueshmërinë e ushtrive të tyre”. Ai tha se 9 mijë ushtarakë amerikanë do të marrin pjesë në stërvitjen “Defender Europe 2023”. Pas fjalëve hyrëse, u bë prezantimi statik i pajisjeve të FSK-së. Qytetarëve të Kosovës, të dielën, u është bërë e mundshme t’i shohin nga afër një pjesë të njësive, pajisjeve dhe automjeteve të ushtrisë. Në vitin 2021, Shqipëria ka qenë nikoqire e këtyre stërvitjeve ushtarake. Stërvitjet e koduara si “Defender Europe” janë ushtrime vjetore shumëkombëshe, të cilat udhëhiqen nga SHBA-ja. Natyra e tyre është mbrojtëse dhe përqendrohet në parandalimin e agresionit.

admin