RTV AHIRETI
Lajme

Kosovë, automjetet me tabela “RKS” po futen në Serbi pa mbuluar simbolet shtetërore

kosove,-automjetet-me-tabela-“rks”-po-futen-ne-serbi-pa-mbuluar-simbolet-shteterore

Ka filluar së zbatuari vendimi për lejimin e automjeteve me targa kosovare “RKS” që hyjnë në territorin e Republikës së Serbisë, pa vendosur stikersa mbi simbolet kosovare në tabela, raporton Anadolu.

Vendimi i cili ka hyrë në fuqi nga 1 janari 2024, për qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët e përdorin territorin e Serbisë si rrugë transit apo edhe si destinacion, përbën lehtësim.

Duke folur për Anadolu, qytetarët thonë se tashmë ata nuk do të kenë nevojë t’u vënë stikersa simboleve kosovare në tabela të automjeteve dhe kjo do t’u kursejë atyre kohë dhe mund.

Elmi Likaj nga Komuna e Prizrenit, thotë se ka udhëtuar nëpërmjet Serbisë edhe më herët dhe është ballafaquar me barriera të ndryshme, sikurse tabelat provuese, stikersat mbi tabela, por që tani pret që për herë të parë të futet në territorin serb njëjtë sikurse edhe në vendet tjera të rajonit.

“Mendoj se është një lehtësi edhe për ne që shkojmë në Serbi, por edhe serbët që vijnë në Kosovë, sepse këtu krijohen vonesa. Mendojmë që të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Kosova, dhashtë Zoti, ne të gjithë po insistojmë të kemi raporte më të mira, të mos kemi më politika të gabuara ashtu sikurse ka pasur. Ka ardhur koha që të vëmë një kufi dhe t’i normalizojmë raportet, ne jemi shtet dhe edhe ata janë shtet”, theksoi Likaj.

Nezir Jahaj po ashtu nga rajoni i Prizrenit, e vlerëson si lehtësim vendimin që nga 1 janari nuk do të ketë më nevojë të vendosë stikersa mbi simbolet kosovare në tabelat e automjeteve.

“Është mirë që të dyja palët t’i heqin stikersat, as për serbët as për kosovarët, të kalojmë lirshëm. Sikurse për ta ashtu edhe për ne kjo është më e mirë”, thotë Jahaj, i cili shton se deri më tani ka udhëtuar me autobus nëpërmjet Serbisë disa herë, por që kjo është hera e parë që po udhëton me veturë.

Ndërkaq, ndryshe, nga automjetet me tabela kosovare që tani nuk do të kenë nevojë t’i mbulojnë simbolet shtetërore me futjen e tyre në Serbi, një gjë e njëjtë nuk vlen edhe për automjetet serbe kur futen në territorin kosovar.

Me të kaluar pikën kufitare dhe kontrollin policor, shoferët e automjeteve me tabela të Republikës së Serbisë, ndalojnë fillimisht për të ngjitur stikersa në simbolet shtetërore të tabelave të automjeteve të tyre, pastaj vazhdojnë rrugën brenda territorit kosovar.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë javës së fundit të dhjetorit vendimin e Serbisë e ka quajtur maskim, derisa ka thënë se Qeveria e Kosovës do të marrë vendim për t’i lejuar tabelat e Serbisë në Kosovë pasi që Policia e Kosovës të sigurohet se Serbia po e zbaton plotësisht dhe pa pengesa vendimin që tabelat “RKS” të qarkullojnë lirshëm në territorin serb.

“Vendimin tonë të barasvlefshëm si çështje e marrëdhënieve reciproke do ta marrim sapo që policia jonë kufitare të dokumentojë dhe vërtetojë se Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj. Besojmë se kjo qasje është e drejtë përveçse e arsyeshme”, tha Kurti.

Tash e dy vjet simbolet e Serbisë dhe të Kosovës për tabela automjetesh janë mbuluar me letra ngjitëse të bardha, veprim për të cilën palët arritën marrëveshje në fund të shtatorit të vitit 2021.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një deklaratë për mediat vendase më 26 dhjetor ka bërë të ditur se qeveria e Serbisë ka marrë vendim që të lejojë qarkullimin e lirë të automjeteve me tabelave të Republikës së Kosovës (RKS) në vend.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e ka konsideruar hap pozitiv drejt zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi, vendimin e Serbisë për t’i njohur tabelat e automjeteve “RKS”, të lëshuara nga Kosova.

Related posts

1 orë pritje për dalje nga pika kufitare në Merdarë

rezart morina

Politikani opozitar serb që vizitoi Prekazin, rrahet brutalisht nga BIA

admin

Kovaçevski: Kriza energjetike, një mundësi për transformimin energjetik të vendit

admin