RTV AHIRETI
Lajme

Kosovë, njësitet speciale të policisë kosovare vazhdojnë të qëndrojnë në Komunën e Zveçanit

kosove,-njesitet-speciale-te-policise-kosovare-vazhdojne-te-qendrojne-ne-komunen-e-zvecanit

Njësitet speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë ende në objektin e Komunës së Zveçanit, ndërsa për shkak të reshjeve të dendura të shiut, qytetarët serbë të cilët ishin mbledhur këtu aktualisht janë tërhequr në rrugët përreth, raporton Anadolu.

Nuk është e mundur që ekipet mediave t’i afrohen objektit të komunës, për shkak të rrezikut potencial që mund të vijë nga banorët lokalë të cilët gjatë orëve të fundit kanë sulmuar me gurë nga ndërtesat përreth.

Në fillim të rrugës ku ndodhet komuna, ndodhen pjesëtarë të njësive speciale.

Policia e Kosovës e cila gjatë ditës njoftoi se “është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”.

Siç theksoi policia, me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve të komunave në vendet e tyre të punës, pranë hyrjeve të objekteve komunale të tri komunave janë tubuar një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, për të mos lejuar hyrjen e tyre dhe stafit përcjellës në objektet zyrtare të komunave, duke refuzuar që të largohen nga aty, në vazhdimësi.

Sipas Policisë, përveç personave të angazhuar dhe automjeteve/mjeteve të serbëve lokalë të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet “të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime”.

“Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore”, thekson Policia.

Tutje, ky institucion bëri të ditur se në këtë situatë janë shkaktuar edhe dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare dhe njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin, ndërsa “dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë”.

“Duke parë rrezikun e drejtpërdrejtë të jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje janë detyruar të reagojnë dhe të përdorin mjetet e ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.

Lidhur me veprimet e deritanishme Policia bëri të ditur po ashtu se ka bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet me organet e drejtësisë, të cilët rastin e kanë cilësuar si “Sulm Kundër Rendit Kushtetues”, ndërsa ka potencuar se do të vazhdojë të mbajë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, si dhe do të ndërmarrë masa ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend.

Lidhur me situatën aktuale në veri ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale tha se SHBA dënon aksionin e ndërmarrë nga autoritetet kosovare.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, ka shkruar Hovenier.

Si erdhi deri tek ky tensionim i situatës?

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit u zgjodhën kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, si dhe këshilltarët e Kuvendit Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit, betimi i të cilëve përfundoi këtë javë.

Partia më e madhe serbe, Lista Serbe, e ka kundërshtuar zgjedhjen e kryetarëve të rinj në këto komuna pa pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

Për shkak të bojkotit të Listës Serbe, pjesëmarrja në votime ishte e ulët dhe arriti në 3.47 për qind, gjë për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti konsideroi se “trysnia e drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar ndikoi drejtpërdrejtë në daljen e ulët të qytetarëve serb në zgjedhje”.

Lista Serbe më 19 maj, ditën kur u betua kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media në këtë komunë, ku nënkryetari i partisë Igor Simiq, tha se qytetarët serbë janë të përkushtuar për paqe, por se, më 1 qershor do të pasojë një përgjigje vendimtare nga populli serb, nëse nuk ndalet mohimi i të drejtave elementare të tyre, duke mos dhënë më shumë detaje rreth këtij paralajmërimi.

Edhe shtetet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar), kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës për shkak se sipas tyre, duke marrë parasysh bojkotin e zgjedhjeve nga Lista Serbe, zgjedhjet “nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira”.

Zgjedhjet në katër komunat veriore me shumicë serbe u mbajtën pasi që kryetarët paraprakë që vinin nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për legalizimin e veturave me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Related posts

“Nxehtësi rekord në të gjithë botën “, OKB: Fenomeni El Nino do të vazhdojë gjatë gjithë vitit

rezart morina

Kurti për largimin e të rinjve: Disa ikin, të tjerë kthehen

admin

UNICEF: 11.600 të mitur zbarkuan në Itali në 9 muaj

admin