Kryeshefi i operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), Evetar Zeqiri, ka njoftuar se nga sot, 1 janar, furnizuesi Elektrosever ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri.
Ai ka thënë se ky është një sukses në sektorin e energjisë, përveç liberalizimit të vizave dhe lëvizjes së papenguar me targa të Republikës së Kosovës.
Zeqiri ka thënë se pas më shumë se 20 vjetëve, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit.
“Me 1 janar 2024, duke filluar nga 00:01’, furnizuesi Elektrosever Sh.p.k, -kompani e licencuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës -ka filluar të nominoj energjinë për katër komunat e veriut. Pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri. Pas më shumë se 20 viteve, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit”, ka shkruar ai në Facebook.
Zeqiri këtij postimi i ka shtuar dy fotografi, ku tregohet periudha rreth 1 orë para ndërrimit të motmoteve dhe një tjetër disa minuta pas fillimit të nominimit, ku sipas tij, vërehen ndryshimet.