RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shtëpi të shembura dhe ndërprerje në linjat hekurudhore pas tërmeteve të fuqishme në Japoni

shtepi-te-shembura-dhe-nderprerje-ne-linjat-hekurudhore-pas-termeteve-te-fuqishme-ne-japoni

Shumë shtëpi u shembën dhe shërbimet hekurudhore u pezulluan përkohësisht në disa zona të Japonisë pas një serie tërmetesh të fuqishme që goditën vendin, duke shkaktuar një paralajmërim për cunami, transmeton Anadolu.

“East Japan Railway Co” tha se ka pezulluar operimet e të gjitha linjave në Tohoku, Joetsu dhe Hokuriku Shinkansen për shkak të tërmetit, raportoi Kyodo News me bazë në Tokio.

Kryeministri i Japonisë Fumio Kishida i bëri thirrje publikut që të jetë vigjilent për tërmete më të fuqishme, ndërkohë që autoritetet u kanë kërkuar tashmë banorëve që jetojnë pranë zonave bregdetare të evakuohen dhe të lëvizin në vende më të sigurta.

Deri më tani, mijëra njerëz janë evakuuar nga Noto të prefekturës Ishikawa dhe qytete të tjera.

Sekretari kryesor i kabinetit, Yoshimasa Hayashi, tha se tërmeti ka shkaktuar dëme në ndërtesa dhe rrugë.

“Kemi marrë raporte për një shembje ndërtese me gjashtë persona nën rrënoja”, u tha Hayashi gazetarëve.

Fotografitë e postuara në mediat sociale treguan gjithashtu shkatërrime të mëdha të shkaktuara nga tërmeti në rrugë dhe ndërtesa në prefekturën Ishikawa. Me sistemin elektrik të dëmtuar, rreth 32.500 shtëpi në prefekturën Ishikawa kanë mbetur pa energji.

Tri tërmete të njëpasnjëshme me magnitudë 5,7, 6,1 dhe 7,6 ballë goditën Japoninë sot, duke çuar në një paralajmërim për cunami.

“Ka ndodhur një tërmet rreth orës 16:18, epiqendra e të cilit ishte në rajonin Noto të prefekturës Ishikawa dhe u vu re një intensitet sizmik maksimal prej mbi 5 ballë. Mos iu afroni zonave të rrezikshme ku lëkundjet ishin të forta”, tha Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) në “X”.

“Aktualisht, është lëshuar paralajmërim për një cunami të madh për Noton, në prefekturën Ishikawa”, shtoi JMA.

Alarmet për cunami janë lëshuar gjithashtu për prefekturat Niigata, Toyama, Yamagata, Fukui dhe Hyogo përgjatë bregut të Detit të Japonisë, sipas transmetuesit japonez NHK World.

Të gjithë banorëve pranë vijës bregdetare u është kërkuar të largohen menjëherë nga zona, raportoi NHK.

Autoritetet e Koresë së Jugut lëshuan gjithashtu alarme për rritjen e nivelit të detit në pjesë të Detit Lindor, të njohur gjithashtu si Deti i Japonisë në Tokio, pas tërmeteve të forta në brigjet perëndimore të Japonisë, thanë mediat lokale.

Administrata Meteorologjike e Koresë (KMA) tha se një cunami në Japoni mund të shkaktojë rritje të nivelit të detit në brigjet lindore të Koresë së Jugut, raportoi Yonhap News me bazë në Seul.

Related posts

Rrëmbehet një person në Prishtinë

rezart morina

Ministri i ri i Jashtëm turk Hakan Fidan merr detyrën

rezart morina

Ukraina thotë se po mban pozicionet strategjike në Bahmut

admin