RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kovaçevski-Kallas: Estonia mbështet fuqishëm përshpejtimin e euro-integrimeve të Maqedonisë së Veriut

kovacevski-kallas:-estonia-mbeshtet-fuqishem-pershpejtimin-e-euro-integrimeve-te-maqedonise-se-veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka takuar sot në Talin kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit të qeverisë, në takim ka marrë pjesë edhe ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu.

Ky takim është pjesë e agjendës së Kovaçevskit në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin Digjital të Talinit 2023, i cili ishte edhe ndër temat e bisedës në takimin dypalësh.

“Në takim u bisedua për marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Estonisë, të cilat si vende aleate në NATO po thellohen përmes dialogut të vazhdueshëm politik”, thuhet në njoftim.

Kovaçevski falënderoi Estoninë për mbështetjen në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për mbështetjen e drejtpërdrejtë në fushën e sigurisë kibernetike dhe digjitalizimit.

Ai e njoftoi homologen Kallas me statusin e integrimit evropian të vendit dhe hapat e ardhshëm që vendi duhet të ndërmarrë në këtë rrugë.

“Bashkërisht u konstatua rëndësia e përshpejtimit të procesit të përafrimit të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera nga rajoni në BE, duke pasur parasysh realitetin e ri gjeopolitik të shkaktuar nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse kundër Ukrainës”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu në njoftim thuhet se Estonia, si fqinj i afërt i Rusisë, sot më shumë se kurrë thekson dhe kupton rëndësinë dhe forcën e marrëdhënieve transatlantike dhe solidaritetit evropian, si dhe uron që Maqedonia e Veriut të jetë sa më parë në të njëjtën tryezë evropiane së bashku me Estoninë dhe vendet e tjera anëtare të BE-së.

“Në këtë drejtim, Kallas theksoi se Estonia do të vazhdojë me mbështetjen e saj të madhe dhe të fuqishme për përshpejtimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së dhe në mënyrë aktive të punojë me vendet e tjera anëtare të BE-së që mbështesin zgjerimin”, theksohet në njoftimin e qeverisë.

Kryeministrja e Estonisë përshëndeti gjithashtu qëndrimin e përgjegjshëm të Maqedonisë së Veriut ndaj Ukrainës dhe falënderoi për mbështetjen që vendi ka ofruar deri më tani, duke shtuar se koordinimi i plotë me BE-në për sa i përket sanksioneve dhe masave kufizuese flasin për orientimin e vendit.

Në takim u diskutua edhe për kryesimin e OSBE-së nga Maqedonia e Veriut. Kryeministri Kovaçevski falënderoi për mbështetjen estoneze dhe përpjekjet e bëra për koordinim në kuadër të kryesimit të OSBE-së.

Related posts

Mbi 13 milionë njerëz vizituan Xhaminë e Madhe Ajasofia në vitin 2022

admin

Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit të përfshirë në vrasjen e Triumf Rizës

admin

Lajçak i bashkohet sot Escobarit në Kosovë

admin