Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij në Bruksel mbajti fjalim dhe hapi sesionin e fundit të procesit të skriningut të vendit, kushtuar grupit 6 të kapitujve, i cili përfshin kapitullin 30, marrëdhëniet e jashtme dhe kapitullin 31, si dhe politikën e përbashkët, politika e jashtme dhe të sigurisë, transmeton Anadolu.
Kapitulli 30 fokusohet në politikën e përbashkët tregtare ndaj vendeve të treta, për çka kryeministri Kovaçevski tha se “ne do të fokusohemi në përafrimin e politikave tona tregtare me BE-në brenda Organizatës Botërore të Tregtisë”.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut ka shkallën më të lartë të tregtisë së hapur në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila arriti në 171 për qind në vitin 2022.
“Perspektivat e Maqedonisë së Veriut për tregti të jashtme janë shumë të lidhura, veçanërisht me Bashkimin Evropian, sepse BE është partneri ynë më i madh tregtar. Tregtia me BE-në arriti në 60 për qind të tregtisë totale vitin e kaluar dhe 86 për qind të numrit të përgjithshëm të të gjitha marrëveshjeve preferenciale që Maqedonia e Veriut zbaton në baza bilaterale dhe multilaterale”, tha Kovaçevski.
Ai gjithashtu tha se BE-ja është investitori më i rëndësishëm në Maqedoninë e Veriut dhe ka një pjesëmarrje në 65 për qind të numrit të përgjithshëm të investimeve të huaja direkte në fund të vitit 2022.
Duke folur për harmonizimin e rregulloreve ligjore të Maqedonisë së Veriut me legjislacionin e BE-së, kryeministri theksoi se tashmë po punohet për ndryshime dhe rregullore të reja në disa fusha.
Me mbylljen e këtyre kapitujve do të përfundojë zyrtarisht edhe procesi i skriningut për Maqedoninë e Veriut. Procesi filloi në 15 shtator 2022 dhe vazhdoi me sukses dhe sipas dinamikës së përcaktuar. Takime shpjeguese dhe dypalëshe janë zhvilluar deri më tani për 33 kapitujt e ndarë në 6 grupe.
Gjatë kësaj periudhe prej 15 muajsh dhe gati 100 ditësh pune, në Bruksel janë mbajtur 850 prezantime dhe në proces kanë marrë pjesë 206 institucione të ndryshme me rreth 1000 pjesëmarrës.
Pas përfundimit të procesit të skriningut, vijojnë udhërrëfyesit, të cilat janë detyrim i Maqedonisë së Veriut që buron nga korniza e negociatave. Këto janë udhërrëfyesit për sundimin e ligjit, për reformën e administratës publike dhe për funksionimin e institucioneve demokratike, si dhe Plani i Veprimit për mbrojtjen e pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve.