Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, mbajti një konferencë të përbashkët për media me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, pas takimit të liderëve të rajonit të mbajtur në Shkup kushtuar planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian, raporton Anadolu.
Kovaçevski dhe O’Brien njoftuan pritshmëri të përbashkëta për kontributin e planit në integrimin e përshpejtuar të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian (BE).
Në fjalën e tij, Kovaçevski tha se në takim së bashku me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin të pranishëm edhe partnerët e rajonit.
Ai theksoi se diskutimi i sotëm iu kushtua planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor, i njohur nga të gjithë si një mundësi e shkëlqyer për të hyrë në tregun e përbashkët evropian, si dhe një mjet për përparim të përshpejtuar në procesin e anëtarësimit dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të rajonit.
“Plani i rritjes është deri tani konfirmimi më serioz politik nga BE-ja se kanë një plan konkret për integrim efikas evropian të Ballkanit Perëndimor. Me realizimin e planit, i cili varet edhe nga BE-ja, por mbi të gjitha nga ne, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të dyfishojnë produktin e brendshëm bruto për kokë banori, pra nga mesatarja prej 6 mijë euro për kokë banori në rajon, në mesatarisht 12 mijë euro për kokë banori në 10 vitet e ardhshme”, tha Kovaçevski.
Ai theksoi se është e rëndësishme që qytetarët të dëgjojnë se ka një plan konkret për forcimin e ekonomisë dhe përmirësimin e standardit jetësor.
“Sot në takim miratuam një deklaratë të përbashkët, një deklaratë me të cilën ne si liderë të Ballkanit Perëndimor angazhohemi për zhvillimin e vendeve tona sipas standardeve evropiane. Në deklaratën e përbashkët theksuam rëndësinë e madhe të bashkëpunimit mes të gjithë neve në rajon, si aleancë strategjike e vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të arritur qëllimin tonë individual dhe në të njëjtën kohë qëllimin e përbashkët, anëtarësimin në BE”, tha Kovaçevski.
O’Brien, përfaqësuesi i lartë amerikan, në fjalën e tij tha se “ky ishte një takim shumë interesant dhe emocionues”, duke shtuar se iniciativa ishte e ndryshme nga ato që ishin parë më parë në rajon.
“Pra, në këtë program, në këmbim të disa reformave, vendet do të kenë qasje në tregun e vetëm evropian dhe siç tha kryeministri, është një treg tepër i pasur i konsumatorëve dhe bizneseve që presin të angazhohen me njerëzit e këtij rajoni. Ky është një përfitim i madh që vjen së shpejti”, tha O’Brian.
Ai theksoi se janë diskutuar dy ide praktike, respektivisht ulja e tarifave për transferimin e parave nga BE-ja në Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimi i “linjave të gjelbra” për lehtësimin e tregtisë së mallrave. Sipas tij, në këtë program askush nuk mund të vërë veton ndaj dikujt tjetër, por secili shtet është përgjegjës për reformat e veta.
“Si SHBA, ne mendojmë se është në interesin tonë të plotësojmë interesat e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe të shohim se si qeveritë i afrohen integrimit në Evropë”, shtoi ai.
Në takim, përveç kryeministrit Kovacevski dhe përfaqësuesit amerikan O’Brien, morën pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, si dhe drejtori i përgjithshëm për fqinjësinë dhe negociatat e zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman.
Përmes video-lidhjes, në takim mori pjesë edhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Kristo, ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësues të shumë organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë edhe përfaqësues të Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane të Investimeve.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për perspektivën mes Kosovës dhe Serbisë, O’Brien bëri thirrje për zbatimin e plotë të asaj që është dakorduar më parë.
“Ne mbështesim fuqimisht udhërrëfyesin për të cilin u ra dakord, gjithashtu në këtë vend, në Ohër, marsin e kaluar. Ne besojmë se të dy vendet duhet të punojnë përmes procesit të dialogut për të zbatuar plotësisht udhërrëfyesin”, tha O’Brien.