RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kovaçevski-Varadkar: Për Maqedoninë e Veriut nuk ka alternativë tjetër pos anëtarësimit të plotë në BE

kovacevski-varadkar:-per-maqedonine-e-veriut-nuk-ka-alternative-tjeter-pos-anetaresimit-te-plote-ne-be

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shkup, mbajtën një konferencë të përbashkët për media, transmeton Anadolu.

Siç qëndron në kumtesën e Qeverisë, në konferencën për media u theksua mbështetja e vazhdueshme nga Irlanda për Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt BE-së, me të cilën këtë vit shënohen 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.

“Irlanda është partneri dhe mbështetës i fortë i integrimit tonë evropian dhe ne e vlerësojmë këtë shumë. Mund të them lirisht se një nga mbështetësit më të mëdhenj të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut është kryeministri i Irlandës, Leo dhe Irlanda. Në të gjitha takimet që kemi pasur në Bruksel, një nga miqtë më të mëdhenj të vendit tonë ka qenë kryeministri, i cili sot është mysafir i vendit tonë. Ishte gjatë Presidencës irlandeze të BE-së në vitin 2004 që ne dorëzuam kërkesën tonë për anëtarësim në Union. Që atëherë kemi marrë mbështetje të vazhdueshme dhe të zëshme nga Irlanda, e cila e sheh zgjerimin e BE-së si çështje strategjike dhe të sigurisë”, theksoi kryeministri Kovaçevski në konferencën për media, duke shtuar se Irlanda është një vend nga i cili mund të mësojmë shumë.

Duke theksuar se Irlanda ishte një nga tre vendet e para që iu bashkua projektit evropian në vitin 1973, kryeministri Kovaçevski theksoi se anëtarësimi në BE ishte një forcë shtytëse pozitive për ndryshimet sociale dhe politike në Irlandë.

Irlanda, siç tha kryeministri Kovaçevski, është shembull real i një vendi që ka përjetuar transformim ekonomik dhe social, i cili ka përfituar nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe këtë e ka dëshmuar në 50 vitet e fundit të anëtarësimit.

Kryeministri Kovaçevski në konferencën për media theksoi se gjatë takimit me kolegun irlandez Varadkar, është rënë dakord për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, si dhe është biseduar për konkluzionet e Këshillit Evropian nga dhjetori, kur BE-ja i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut që të përshpejtojë përfundimin e ndryshimeve kushtetuese për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit në BE.

Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, në konferencën për media theksoi se është i nderuar që është kryeministri i parë irlandez që vjen për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

“Vizita ime me delegacionin tim sot në Maqedoninë e Veriut dhe më herët në Kosovë dhe Mal të Zi tregon interesin dhe përkushtimin e Irlandës për këtë rajon si dhe vendosmërinë tonë për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut dhe fqinjët e saj në rrugën e tyre drejt integrimit në BE. Anëtarësimi në BE duhet të jetë një ambicie kombëtare, jo një çështje partiake apo politike, dhe sigurisht për ne që u bashkuam me BE-në, kishte një konsensus vërtet të madh për ta bërë këtë. Mendoj se është e rëndësishme për sigurinë rajonale të Ballkanit, por edhe për sigurinë më të gjerë të Evropës, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës, i cili i dha një urgjencë të re situatës”, theksoi kryeministri Varadkar në konferencën për media.

Kryeministri irlandez Varadkar theksoi se BE-ja e ka transformuar Irlandën gjatë 50 viteve të fundit dhe ka sjellë shumë përfitime ekonomike dhe përfitime të tjera për vendin.

Ai shprehi gatishmëri të ndajë përvojën dhe njohuritë gjatë negociatave të anëtarësimit, duke shtuar se për 10 vjet asnjë vend nuk është anëtarësuar në BE dhe se kjo duhet të ndryshojë.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë ku të mundemi, veçanërisht në lidhje me reformat”, tha kryeministri i Irlandës, Varadkar, duke shtuar se marrëdhëniet dypalëshe mes Irlandës dhe Maqedonisë së Veriut janë shumë të mira.

Stabiliteti politik në Maqedoninë e Veriut, siç vlerësohet nga kryeministri irlandez Varadkar, është i rëndësishëm për Evropën.

Related posts

Gjykata e Lartë e Brazilit dekriminalizon posedimin e marijuhanës për përdorim personal

rezart morina

Një muaj para nisjes së Lojërave Olimpike, uji në lumin Seine në Paris jashtë standardeve! Dështojnë testet e cilësisë

admin

Mbi 90 të vr’arë në pr’otestat në Bangladesh

admin