Emigrantët që kalojnë La Manshin në drejtim të Britanisë së Madhe duket se kanë futur në kaos qeverinë britanike.
Kur pritej që të bëhet e mundur bllokimi i tyre që në Francën jugore, vjen reagimi i zyrtarit të lartë të burgjeve i cili hedh poshtë mundësinë e mbajtjes nëpër qendra azili apo edhe burgje të të gjithë personave që vijnë nga Kanali.
Kështu plani i Kryeministrit Rishi Sunak për të burgosur çdo emigrant të paligjshëm që kalon La Manshin me gomone, duket ka vështirësi implementimi.
Arsyeja, është mjaft e thjeshtë: në burgje, nuk ka hapësira të mjaftueshme për t’i mbajtur të gjithë. Kryeinspektori i burgjeve në Britaninë e Madhe, Charlie Taylor shprehet se në mënyrë që plani të funksionojë, qeverisë i duhet të rrisë në mënyrë dramatike kapacitetet e akomodimit, pasi shumica e qendrave janë që tani mbipopulluara.
Sunak premtoi një legjislacion të ri nga muaji i ardhshëm, i cili do të krijojë mundësin që emigrantët e paligjshëm të ndalohen e të mbahen nëpër qendra të tilla në pritje të rikthimit në vendin e origjinës ose të deportimit në një vend të botës së tretë si Ruanda.
Taylor, i cituar nga “The Times”, argumenton se në kushtet aktuale, iniciativa mund të dështojë. Emigrantët sipas tij nuk mbahen dot me këto ritme as në qendrat e pritjes e as në burgje, sepse disa të burgosur tashmë po mbahen në qeli brenda stacioneve të policisë për shkak të situatës së renduar të akomodimit.
Numri i azilkërkuesve që përpiqen të arrijnë në Britani me varka është rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe sistemi për shqyrtimin e aplikimeve është ngadalësuar mes problemeve dhe ndryshimeve të shpeshta në qeverinë konservatore, e cila ka kryeministrin e tretë dhe sekretarin e tretë të brendshëm brenda këtij viti.
Në qendrën Manston duhet të strehohen normalisht rreth 1,500 emigrantë për më pak se 24 orë, por kjo shifër është më se dyfishuar. /panorama