Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres është “shumë i shqetësuar” për përhapjen e konfliktit të Gazës dhe u kërkon të gjitha palëve të ushtrojnë “përmbajtjen maksimale” për paqen rajonale, raporton Anadolu.
Zëdhënësi Stephane Dujarric tha se teksa armiqësitë midis Izraelit dhe Hamasit dhe grupeve të tjera në Gaza intensifikohen, “Sekretari i Përgjithshëm mbetet shumë i shqetësuar për përhapjen e mëtejshme të këtij konflikti, i cili mund të ketë pasoja shkatërruese për të gjithë rajonin”.
Ai shtoi se sa më gjatë të vazhdojë konflikti në Gaza, aq më i madh është rreziku i përflakjes rajonale, duke pasur parasysh rrezikun e përshkallëzimit dhe llogaritjes së gabuar nga aktorë të shumtë.
“Sekretari i Përgjithshëm është gjithnjë e më i shqetësuar për efektet e përhapjes të sulmeve të vazhdueshme nga grupet e armatosura në Irak dhe Siri, si dhe sulmet e Houthi-ve kundër anijeve në Detin e Kuq, të cilat janë përshkallëzuar ditët e fundit, tha Dujarric, duke shtuar:
“Sekretari i Përgjithshëm u kërkon të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të ndërmarrin hapa urgjent për të shpërshkallëzuar tensionet në rajon”.