Kreu i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu shqetësimin e tij për situatën në Mianmar, duke u kërkuar autoriteteve ushtarake të dëgjojnë zërin e popullit, të lirojnë të burgosurit politikë dhe t’i kthehen demokracisë, transmeton Anadolu.
“Unë mbetem thellësisht i shqetësuar për përkeqësimin e situatës politike, humanitare dhe të drejtave të njeriut në Mianmar, duke përfshirë shtetin Rakhine, dhe gjendjen e rëndë të numrit masiv të refugjatëve që jetojnë në kushte dëshpëruese”, tha Sekretari i Përgjithshëm gjatë një konference për media në margjinat e samitit të ASEAN-it në Indonezi.
Indonezia nga e hëna është nikoqir i Samitit të 43-të të liderëve të ASEAN-it organizatës së vendeve të Azisë Juglindore.
Sipas një deklarate në faqen zyrtare të OKB-së, Guterres vlerësoi konsensusin pesëpikësh të ASEAN-it, duke u kërkuar të gjitha vendeve të vazhdojnë të kërkojnë një strategji të unifikuar ndaj Mianmarit.
“Unë vlerësoj gjithashtu përpjekjet e vendosura të Indonezisë si kryesuese e ASEAN-it për të angazhuar të gjitha palët e konfliktit në dialogun politik”, shtoi Guterres, duke u kërkuar autoriteteve ushtarake të Mianmarit të dëgjojnë zërin e popullit, të lirojnë të gjithë të burgosurit politikë dhe të hapin dyert për kthimin e sundimit demokratik.
Mijëra njerëz kanë vdekur dhe janë zhvendosur brenda vendit që kur ushtria e Mianmar mori pushtetin përmes një grusht shteti kundër qeverisë së udhëhequr nga Aung San Suu Kyi në shkurt 2021.