Krerët e institucioneve të Maqedonisë së Veriut dërguan urime me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke uruar kreun e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) dhe të gjithë qytetarët e besimit islam në vend, raporton Anadolu.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, bëri thirrje që në frymën e festës së Kurban Bajramit “të vazhdojmë ta ndërtojmë vendin tonë mbi themelet e mirëkuptimit, bashkëjetesës dhe kujdesit për të tjerët”.
“Uroj që ditët e festave t’i kaloni në mirëkuptim, harmoni dhe mirëqenie, duke ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë, mbështetje dhe mirëkuptim. Kurban Bajrami, festa e bazuar në solidaritet dhe bujari, le të jetë një nxitje për të gjithë qytetarët për të tejkaluar së bashku sfidat në shoqërinë tonë multietnike”, thuhet në urimin e presidentit Pendarovski.
Urime dërgoi edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili uroi që këto ditë festive të kalohen në paqe, dashuri dhe gëzim nëpër shtëpi.
“Le të na afrojë kjo ditë edhe më shumë së bashku në përpjekjet tona të përbashkëta për të promovuar vlerat demokratike dhe evropiane në frymën e multikulturalizmit, për çka jemi të njohur në botë. Ashtu siç festohet kjo festë përmes unitetit në tryezën e përbashkët në rrethin e familjes, të afërmve dhe miqve, kështu të jemi të bashkuar në rrugën tonë për t’iu bashkuar familjes së madhe evropiane”, theksoi kryeministri Kovaçevski në urimin e tij.
Urime kanë dërguar edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, si dhe liderë të tjerë shtetërorë dhe politikë.