RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kristersson: Dera për në NATO nuk është e mbyllur

kristersson:-dera-per-ne-nato-nuk-eshte-e-mbyllur

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson është shprehur optimist për anëtarësimin në NATO në verë, pavarësisht nga mosmarrëveshja e vazhdueshme me Turqinë.

“Ekziston një shans, pa asnjë dyshim. Shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Kristersson për agjencinë suedeze të lajmeve TT.

Në fillim të kësaj jave, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se Suedia nuk mund të mbështetet te vendi i tij për anëtarësimin në NATO, pasi një politikan islamofob dogji një Kuran pranë ambasadës turke, në Stokholm.

“Megjithatë, Turqia nuk ka thënë kurrë në mënyrë eksplicite se dera ishte plotësisht e mbyllur për Suedinë”, tha Kristersson për TT.

“Kjo ishte përshtypja që dhanë edhe raundet e bisedimeve të zhvilluara me Turqinë që nga vera e kaluar”, tha ai.

“Ne mund të kemi pikëpamje të ndryshme se ku jemi në proces, por nuk ka dyshim për qëllimin përfundimtar të procesit”, tha Kristersson.

Ai vuri në dukje gjithashtu presionin që do t’i bëhej Turqisë nga shumë vende të NATO-s.

“Por, është Turqia ajo që merr vendimin e saj dhe askush tjetër”, tha Kristersson.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar me aleancën e mbrojtjes vitin e kaluar. Deri më tani, 28 nga 30 vendet e NATO-s kanë miratuar aplikimet, ndërsa vetëm Hungaria dhe Turqia kanë qënë kundër.

“Do të ishte në dëm të sigurisë suedeze nëse ky proces do të zgjaste më shumë se sa është e nevojshme”, tha Kristersson.

Ai shtoi se tani bëhet fjalë për ftohjen e “situatës së nxehtë” dhe se është gati të bisedojë me Erdogan në çdo kohë.

Related posts

Erdoğan: Turqia nuk do të tërhiqet nga Siria, kërcënimi terrorist vazhdon

admin

Nga gomonet te maunet/ Mediat britanike: Shqiptarët i rikthehen rrugëve të vjetra pas ligjit të ri

rezart morina

Putini kërkon “garanci reale” nga Kievi për marrëveshjen e grurit

admin