RTV AHIRETI
Agjërimi

KRITERET DHE VËREJTJET GJATË ZGJEDHJES SË PROJEKTIT TË PËRSHTATSHËM

kriteret-dhe-verejtjet-gjate-zgjedhjes-se-projektit-te-pershtatshem

Gjatë zgjedhjes së projektit të përshtatshëm patjetër duhet të merren parasysh këto gjëra:

  1. Gjatë zgjedhjes së projektit nuk duhet të anashkalohet aspekti i ibadetit.

I tërë boshti i jetës së njeriut është ibadet për Allahun, andaj kur njeriu mendon për ndonjë projekt patjetër duhet ta rikujtojë që është rob i Allahut dhe se për detyrë e ka ta realizojë ubudijen (të qenët rob i Allahut).

Bazuar në këtë, kur e projekton një projekt, patjetër duhet ta pyesësh veten: ky projekt a do të më afrojë më shumë për tek Allahu apo do të më largojë?

Ashtu siç i studiojmë përfitimet dhe rezultatet ekonomike, përfitimet dhe rezultatet tekniko-shkencore, përfitimet dhe rezultatet shoqërore të projekteve që mendojmë rreth tyre, po ashtu detyrohemi ta pyesim veten se cilat janë përfitimet dhe rezultatet e këtij projekti për ahiretin tonë?

I mençuri nuk shkon pas asaj që ia dëmton ahiretin dhe e largon atë prej Allahut.

Për në këtë na udhëzoi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur foli për projektin e martesës që për të mendojnë të gjithë të rinjtë.

Ai, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i qartësoi kriteret që i riu duhet t’u mbështetet atyre kur e zgjedh bashkëshorten, dhe tha: “Gruaja martohet për katër gjëra: për pasuri, origjinë, bukuri dhe për fenë e saj. Zgjedhe atë që ka fe, të lumshin duart.”[1]

Shpesh ndodh që gjatë projekteve tona ta harrojmë dimensionin e ibadetit. Për këtë arsye, domosdo që ky dimension të jetë çdoherë prezent në mendjet tona kur mendojmë për projektin dhe kur i parapëlqejmë projektet në mes vete. Të gjitha projektet e myslimanit që ndërlidhen me dynjanë kanë dimensionin e vet të ibadetit.

Projekti i martesës ka dimensionin e vet të ibadetit në ruajtjen e nderit dhe mosrënien në mëkat: “…madje edhe marrëdhëniet intime tuajat llogariten sadaka.”[2]

Ai që mendon për ndonjë projekt ekonomik, si: të formojë kompani apo shoqatë që i sjell të ardhura, të fitojë risk hallall dhe të mos hajë nga harami; kjo është nga dimensioni i ibadetit.

Ai që ka projekt për media, si: nxjerrjen e gazetës apo krijimin e një kanali televiziv apo faqeje mediatike, dhe synimi i tij është që njerëzit t’i informojë për realitetin e tyre , ta përhapë mirësinë dhe ta luftojë të ligën; kjo është nga dimensioni i ibadetit.

Ai që ka projekt shoqëror për interesin e shoqërisë, si: hapjen e ndonjë shoqate për përkujdesjen e jetimëve, hapjen e ndonjë forumi për familje, ose ka projekt për ndërtimin e sallës për gëzime familjare dhe shoqërore, ose projekte të tjera që kanë karakter shoqëror; kjo i ka synimet e saj fetare.

Do të thotë që çdo projekt yni ka dimension ibadeti, pavarësisht a është projekt i pastër fetar apo i dynjasë; sepse njeriu, siç e përmendëm më herët, është rob i Allahut në të gjitha çështjet e tij.

  1. Përkujdesja për mundësitë e mundshme dhe ato që priten, e pastaj përcaktimi i projektit duke u bazuar në këto mundësi.

Është gabim që të planifikohet projekt i madh, kurse mundësitë të jenë të kufizuara dhe të vogla shumë. Pra, patjetër duhet që projekti të jetë sipas mundësive që ai të realizohet.

Shembull: Kur dëshiron ta nisësh një biznes, njëherit duhesh të shikosh se sa të holla mund t’i investosh për këtë biznes, e pastaj sipas të hollave, e përcakton edhe madhësinë e biznesit.

Kur dëshiron të hulumtosh për punë që të punosh, njëherit e shikon diplomën që e posedon dhe njohuritë e tua për punë, e pastaj sipas tyre e përcakton edhe llojin dhe shkallën e punës.

Ti vetes ndoshta mund t’ia përcaktosh që t’i mësosh dy faqe e gjysmë nga Kurani për çdo ditë, por ti e di që nuk ke kapacitet të mësosh më shumë se katër rreshta. Mundesh që ta përcaktosh ndonjë plan dhe program për dhjetë udhëtime, por ti nuk posedon të holla të mjaftueshme veç për dy udhëtime.

Në anën tjetër duhet pasur kujdes nga përfillja dhe ngrirja e resurseve dhe e mundësive të mundshme dhe angazhimi me projekte të vogla, duke i pasur mundësitë për të realizuar projekte më të mëdha; për shembull të kërkojmë nga ndonjë person që të lexojë për çdo ditë nga vetëm 15 minuta, por ai të mos e realizojë as këtë, edhe pse i ka mundësitë të lexojë më shumë se ajo që kërkohet prej tij.

Të dyja çështjet, dëshira për të realizuar projekte imagjinare pa i pasur mundësitë dhe angazhimi me projekte të vogla duke i pasur mundësitë për më shumë, është humbje kohe dhe shpërfillje e aftësive.

Projekt i përshtatshëm është ai projekt i cili njeriut ia nxjerr fuqinë potenciale dhe i ndihmon t’i përdorë resurset e braktisura, që realizimi i tyre është i mundshëm.

Ashtu siç Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Merrni përsipër të veproni aq vepra sa keni mundësi.”[3]; “që do të thotë merrni përsipër veprat që mundeni t’i veproni vazhdimisht dhe pandalur, e jo t’i veproni, pastaj t’i braktisni.”[4]

Përcillet nga Halil ibën Ahmed El-Ferahidij, Allahu e mëshiroftë, të ketë thënë: “Herë pas here vinte një person që ta mësonte metrikën[5], por ishte shumë i rëndë në kuptimin e dijes. Ai qëndroi një periudhë, por nuk mësoi gjë.

E një ditë i thashë: Zbatoje metrikën në këtë varg poetik:

Nëse nuk mund ta bësh një gjë,

braktise dhe tejkaloje atë,

dhe shko pas asaj që mund ta bësh.

U mundua sipas dijes së tij ta zbatonte atë që i thashë, e pastaj u ngrit dhe nuk e pashë më përsëri të vinte tek unë. U çudita me mendjemprehtësinë e tij se si e kuptoi atë që e synova në vargun poetik, sepse ishte i rëndë në kuptimin e dijes.”[6]

  1. Njihi projektet që të përshtaten.

Projektet janë të llojllojshme dhe të shumta, ndërsa ti merre atë që të përshtatet: “…dhe çdo fis e dinte burimin e vet…” (El-Bekare: 60), dhe “Çdokush ka një drejtim nga i cili kthehet…” (El-Bekare: 148).

Përcaktimi i projektit që njeriut i përshtatet është nga çështjet më të rëndësishme për arritjen e suksesit në projekt, pas nijetit të mirë dhe kërkimit të ndihmës dhe të suksesit nga Allahu.

Me rëndësi të madhe është që personi ta dijë atë që është e mirë dhe e dobishme për veten. Nuk është e domosdoshme që ai të jetë i shkathët në çdo gjë.

Jusufi, alejhi selam, e kuptoi se ka prirje për udhëheqësi, prandaj edhe e kërkoi atë: “(Jusufi) i tha: “Më cakto përgjegjës të depove të vendit, sepse unë jam ruajtës dhe njohës (i mirë i këtyre punëve)”. (Jusuf: 55). Në anën tjetër Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ia ndaloi Ebu Dherit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ta kërkojë udhëheqësinë, sepse e dinte që nuk është i përshtatshëm për udhëheqësi.

Shokët e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dallonin njëri me tjetrin në gjëra të shumta; kishte nga ta që dalloheshin me xhihad, disa dalloheshin me dije, disa të tjerë dalloheshin me disa shkenca të dijes e disa të tjerë me dhënie dhe shpenzim, e kështu me radhë.

  1. Projektin që e planifikon ta realizosh duhet të jetë i përshtatshëm me hapësirën kohore që e posedon për realizim; sepse rreziku më i madh që u kanoset projekteve të mira është mospasja kohë të mjaftueshme për realizimin e tyre. Kjo i ngjason sikur atij që dëshiron ta marrë diplomën e universitetit në drejtimin e mjekësisë një vit pasi ta kryejë shkollën e mesme.

Në anën e kundërt, ka të tillë që e teprojnë dhe harxhojnë kohë të gjatë në projekte të cilat mund të realizohen për një kohë shumë më të shkurtër. Kjo i ngjason atij që mund ta kryejë universitetin për katër vjet, por e vonon dhe e zgjat, derisa projektin e tij e realizon pas tetë vjetësh, dhe po ashtu i ngjason atij i cili vonohet dhjetë vjet derisa ta realizojë projektin e martesës.

Nuk ka humbje më të madhe se humbja e kohës, ajo është humbje që nuk ka zëvendësim. Për largpamësit dhe njerëzit që logjikojnë, koha është aq me vlerë të madhe, saqë përpara saj vlera e mallit, dërhemit dhe dinarit është shumë e vogël.

  1. Qëllimi i projektit që synon ta realizosh duhet të jetë qëllim i lejuar.

Projektet që mund të realizohen në jetë janë shumë, vetëm të paaftët nuk mund t’i realizojnë ato. Junusi, alejhi selam, nuk u ndal së vepruari edhe kur ishte në barkun e peshkut, ai i bënte tesbih (lavdëronte) Allahut.

Megjithatë ka projekte që njeriut i lejohet t’i përvishet punës dhe t’i realizojë ato, si dhe ka projekte që nuk i lejohen atij që t’i punojë e as të mendojë për to.

Të punosh që të fitosh pasuri dhe ta rritësh mallin e të kënaqesh me të mirat e dynjasë dhe të shpenzosh në bamirësi është projekt i cili mund te realizohet nga çdonjëri që mundohet. Mirëpo, ky projekt mund të arrihet nëpërmjet rrugëve dhe kanaleve të lejuara, si: me tregti, bujqësi, ndërtimtari, si dhe mund të arrihet nëpërmjet mashtrimit, ryshfetit, hileve, kamatës dhe drogës. Shumë dallim i madh në mes të dy pasurive.

I pari e tuboi pasurinë e tij në hallall. Ajo për të është lumturi në dynja dhe shpëtim në ahiret, nëse di si ta shpenzojë atë.

E tjetri e tuboi në haram. Ajo për të është dëshpërim në dynja dhe ndëshkim në ahiret.

Shembull tjetër e marrim atë që dëshiron të arrijë suksese në mësime me mund, me përpjekje, me këmbëngulje dhe duke u mbështetur në veten, pasi që është mbështetur në Allahun, është lutur dhe i është kthyer Atij.

Në anën tjetër ka nxënës që dëshirojnë të arrijnë suksese, por me mashtrime, hile dhe duke iu mbështetur shokëve.

Nga projektet e qortuara është që njeriu të planifikojë që të jetë këngëtar, artist për role të ndaluara ose muzicient.

Njëri thoshte: “Në dynja nuk dua përveç të fitojë shpërblimin e muzicientit më të mirë, e pastaj të iki nga ajo!”

Ky është synimi i tij më i madh në jetë, ai jeton dhe vdes që ta realizojë këtë synim dhe ta plotësojë këtë projekt të tij!

Ajo më kryesore është që projekti të përfshihet në synimin më të madh për të cilin jeton myslimani në këtë tokë, e ai është fitimi i kënaqësisë së Allahut.

Një grua kërkoi nga burri i saj ta divorconte, sepse specializimi i tij ishte në fushën e insekteve, respektivisht për kacabunin (furrtaren e zezë). Ai çdoherë në çdo vizitë familjare që bënin, këmbëngulte që ta hapte temën e tyre dhe detajisht të fliste për to, derisa asaj i humbi durimi dhe nuk mundi t’i bënte ballë sjelljes së tij.

  1. Projekti duhet të jetë i përcaktuar dhe i qartë, jo të ketë paqartësi dhe errësirë, sepse mospërcaktimi i projektit dhe mosqartësimi i tij, e bëjnë njeriun të mos jetë në gjendje të arrijë deri tek ajo që e dëshiron, ose të mos ketë dijeni për atë që e dëshiron.

Një perëndimor (Rider Kelinxh) thotë: “Unë i kam gjashtë shërbëtorë besnikë të cilët më shërbejnë, prej tyre e kam marrë çdo gjë që e di nga shkencat!

Emrat e tyre janë këta: Çka? Pse? Kur? Si? Ku? Kush?”

Çka dëshiron nga ky projekt?

Pse e dëshiron këtë projekt?

Kur do të fillojë projekti? Kur do të përfundojë?

Si arrijmë deri te mjetet dhe mënyrat për ta realizuar projektin?

Ku do të fillohet projekti?

Kush janë ata të cilët ndihma dhe përvoja e tyre të nevojitet?

Këto gjashtë pyetje; çka, pse, kur, si, ku dhe kush; janë nga mjetet shumë të rëndësishme për të arritur deri te rezultati.

Ai që dëshiron ta krijojë një alternativë për punën e tij të përditshme, ka nevojë që të planifikojë gjatë dhe me precizitet. Nganjëherë kërkon lexim të cekët, hulumtim dhe konsultim, derisa të arrijë që ta përcaktojë qartë atë që e dëshiron.

Për shembull: Ai që dëshiron t’i përfundojë studimet universitare, por ende nuk e ka vendosur se në cilin drejtimin të studiojë, as në cilin universitet të shkojë dhe as kohën se kur do të fillojë, për të është shumë rëndë që të arrijë deri aty ku dëshiron, sepse nuk e ka përcaktuar qëllimin e tij.

Shembull tjetër është ai që dëshiron ta gjejë një alternativë për punën e tij të përditshme, por mbetet veç me kaq, përtej dëshirës së tij nuk lëviz. Ose sikur ai që dëshiron veç të udhëtojë, pa e përcaktuar drejtimin se ku do të shkojë ose natyrën e punës që dëshiron ta realizojë në udhëtimin e tij.

Ndoshta thua që dua të lexoj, por ti nuk i përcakton librat që dëshiron t’i lexosh. Ose thua që dëshiron të punosh në ndonjë aktivitet shoqëror ose humanitar, por nuk e ke përcaktuar se aktiviteti yt a do të jetë pjesëmarrje në përkujdesjen për jetimët, në nxënien përmendsh të Kuranit, ose në ndihma humanitare etj.

Patjetër duhet që projekti të qartësohet dhe të përcaktohet me precizitet, që ai mos të përzihet me projekt tjetër dhe pastaj të dalë pengesa në realizimin e tij.

Që projekti të jetë sa më i qartë, duhet që të imagjinosh sa më shumë detaje të tij, nëse mundet, sikur ai të jetë i kryer, i realizuar dhe i gatshëm para duarve të tua.

  1. Projektin që e planifikon ta realizosh, duhet të kesh nevojë për të dhe të jetë me prioritet për ty karshi projekteve të tjera.

Njeriu nganjëherë mundohet t’i realizojë disa projekte të cilat i përmbajnë të gjitha ato kritere që u përmendën më lart, por ai nuk ka shumë nevojë për to sikurse ka nevojë për projekte të tjera. Kjo është sikur ai që dëshiron ta ndërtojë një pushimore dhe të qëndrojë aty gjatë pushimeve, kurse në anën tjetër ai nuk ka shtëpi banimi ku jeton në të gjatë tërë vitit.

Ka projekte që janë të padobishme dhe të pafrytshme, si: mbledhja e pullave postare dhe e monedhave.

Ka projekte që janë të lejuara, si: loja e futbollit, leximi i revistave, vizita e shokëve, udhëtimet dhe pushimet, vizatimi dhe pikturimi i lejuar.

Ka projekte që janë të pëlqyera, si: mësimi i notit, i gjuajtjes etj.

Ka projekte që janë obligim, si: martesa në disa raste.

Prandaj, njeriu duhet që patjetër t’i renditë prioritetet e tij. Çdo çrregullim në prioritete e bën atë që t’i japë përparësi asaj që e meriton të vonohet, e të vonohet ajo që e meriton t’i jepet përparësi.

Ai që e ka këtë problematikë, gjendja e tij ndoshta mund të arrijë deri aty, saqë tërë jetën ta kalojë në gjëra të kota dhe të vogla, ndërkohë ai i ka mundësitë të punojë më shumë dhe të lërë gjurmë, madje gjurma, nga të cilat do të përfitojë ai vetë dhe do të përfitojnë të tjerët në dynja dhe ahiret.

Nëse i hyn ndonjë çështjeje ta kërkosh,

mos u kënaq me atë që gjendet më poshtë se yjet.

Njeriu gjatë përcaktimit të projekteve të tij dhe përpjekjeve për t’i realizuar ato, duhet që të jetë ambicioz dhe shpirtpërmallues për gjëra të mëdha. Jeta është e përkufizuar dhe shanset mund që të mos përsëriten, ai që kohën dhe jetën e vet e kalon duke u marrë me gjëra të kota, të pavlefshme dhe të vogla, do të jetojë si i pavlerë, pa mundur të ngjitet lart në kulm.

Për shembull: E marrim një person që është shumë i mençur, e kryen shkollën e mesme me notën më të lartë, i ka mundësitë të vazhdojë shkollimin e lartë derisa të arrijë në doktoratë, por ai kënaqet me kryerjen e shkollës së mesme dhe gjetjen e një pune të caktuar. Ky me këtë veprim të tij vetëm se i ka vrarë aftësitë dhe i ka varrosur mundësitë e tij. Shkaku është që synimet i ka të ulëta dhe ambiciet e tij janë të kufizuara.

  1. Nga faktorët e arritjes së suksesit në realizimin e projekteve është që ta fshehë projektin dhe punën që punohet për ta realizuar atë, para atij që nuk ka nevojë të dijë për të. Kjo është bazuar në hadithin: “Punët tuaja realizoni në fshehtësi.”[7]

Kush është i paaftë ta ruajë fshehtësinë e tij, mos ta qortojë tjetrin, nëse ia shpërndan fshehtësinë. Shumë projekte kanë humbur dhe ka dështuar realizimi i tyre ose janë vjedhur shkaku i përhapjes së fshehtësive të tyre.

 

  1. Nisma.

Nëse ngjall interes për diçka, nisu dhe, nëse e merr vendimin, këmbëngul në të. Dije që ai i cili kënaqet me vendin e fundit, nuk mund ta arrijë atë që është përpara.

Andaj, myslimani le të nxitojë me të gjitha mundësitë e veta përpara se të ndërhyjë vdekja në mes tij dhe asaj që ai e shpreson.

Nëse ke mendim, bëhu i vendosur në të,

sepse pavendosmëria mendimin e prish,

nëse ke vendosmëri, realizoje mendimin sa më shpejt,

sepse kufizimi i vendosmërisë e prish atë.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Nxitoni në vepra të mira, para se t’ju vijnë shtatë gjëra. Vallë, a mos po e pritni varfërinë e t’ju shtyjë ta harroni ahiretin, apo pasurinë e t’ju shtyjë t’i tejkaloni kufijtë, apo, ndonjë sëmundje që t’jua shkatërrojë shëndetin, apo pleqërinë e cila jua humb fuqinë, apo vdekjen që ju rri në pritje, apo Dexhallin më e keqja që pritet. Apo Ditën e Kiametit? E cila është më e tmerrshme dhe më e hidhur.”[8]

Nxito, përderisa jeta të jep hapësirë,

drejtësia jote pranohet dhe sjellja jote është e drejtë,

Përpiqu, nxito dhe shfrytëzoje kohën e rinisë,

sepse në kohën kur të jepet mundësia, punohet dhe shfrytëzohet.

Andaj nxito, se ndoshta të ikën koha e përshtatshme për të punuar.

  1. Një nga kushtet e realizimit të projektit është vendosja e planprogramit për të arritur deri tek ai.

Projekti sado që të jetë i madh dhe i mundshëm për realizim, përderisa nuk qartësohet rruga që të çon deri tek ai, do të mbetet vetëm si ide dhe shpresë. Për ta realizuar projektin në realitet, patjetër duhet që të posedohet planprogram i cili të çon deri tek ai.

Ky është udhëkryqi që i ndan rrugët e punëtorëve dhe dembelëve në jetë.

Njerëzit të cilët janë punëtorë dhe ambiciozë në jetë, menjëherë kur përcaktohet qëllimi i projektit, ata fillojnë me idetë dhe me përgatitjen e mënyrës se si të arrijnë deri te realizimi i tij. Sa do të jetë kohëzgjatja e realizimit të tij? Cilët janë pengesat në rrugën e realizimit dhe cilat supozohet të paraqiten? Si mund që të tejkalohen këto pengesa?

Kurse dembelët dhe ata që i vonojnë punët, shumicën e projekteve i kanë vetëm në iluzione, prandaj edhe nuk i sheh ata të bëjnë një hap për t’i realizuar ato.

Ai që ia vendos vetes një projekt p.sh. ta ndërtojë një shtëpi brenda dy vjetësh, patjetër duhet që ta bëjë një plan se si të arrijë deri te qëllimi i tij. Në plan e përfshin aspektin financiar, hulumtimin e tokës së përshtatshme për ndërtimin e shtëpisë, projektin e arkitektit, kontratën me sipërmarrësin, blerjen e materialeve të nevojshme, përcaktimin e të gjitha këtyre hapave me precizitet dhe hollësi.

Ky dallon krahas atij që veç dëshiron të ndërtojë një shtëpi për banim, por nuk i bie ndërmend të punojë gjë.

Ai që ia vendos vetes projektin, p.sh. ta shkruajë një libër, patjetër duhet që t’i përcaktojë temat e librit, pastaj të hulumtojë nga burime të ndryshme për materialin e librit, e më pas ta vendosë planin e librit i cili i përfshin kaptinat, kapitujt, meseletë, shembujt e tij etj.

Nga planifikimi i projekteve tregtare është bërja e kalkulimeve për përfitimet ekonomike të projektit; kjo për qëllim e ka procesin e tubimit të informacioneve për një projekt të propozuar, e pastaj analizimi i tij për njohjen e mundësive të zbatimit të tij, për pakësimin e rreziqeve dhe për përfitimet e tij.

Si pasojë, detyrohet njohja e largësisë së suksesit të këtij projekti ose humbja e tij duke e krahasuar me tregun vendor dhe nevojat e tij.

Andaj duhet të bëhet një studim i tregut vendor nga aspekti i nevojave dhe kërkesave të tij.

Çdo projekt nga projektet e dynjasë dhe të fesë fillimisht ka nevojë që të studiohet, të planifikohet, të përcaktohen qëllimet dhe mjetet, e pas kësaj të vijë shpërndarja e prioriteteve dhe roleve, dhe sistematizimi i punëve që për detyrë e kanë transferimin e planeve dhe studimeve teorike në realitet dhe punë.

Pavarësisht rëndësisë së projektimit dhe sistematizimit të çdo ideje apo projektimi, prapëseprapë njerëzit në këtë aspekt ndahen në dy grupe ekstreme dhe një tjetër mesatar.

Njëri grup e tepron derisa zhytet në studim dhe planifikim, saqë kalojnë ditë dhe muaj, madje edhe vite, dhe ata mbeten në studim dhe planifikim.

Grupi tjetër e anashkalojnë marrjen e shkaqeve, kështu që ata e anashkalojnë planifikimin dhe studimin e hollësishëm, të cilat i paraprijnë punës dhe zbatimit. Prandaj edhe i sheh që projektet e tyre janë ngritur mbi kaos dhe ngatërresa.

  1. Elasticiteti: projekti duhet të jetë i zhdërvjellët, që do të thotë të ketë kufij të poshtëm dhe të ketë kufij të epërm. Kjo është sikur ndonjëri nga ne kur planifikon që brenda ditës të lexojë prej dy deri në katër orë, ose të vizitojë prej tre deri në pesë shokë, e kështu me radhë.
  2. Pasi që të realizohet plani, të mundësohen gjërat e nevojshme dhe të përcaktohet koha e realizimit, bëhet zbatimi i planit me qëllim që të arrihet deri te synimi.

Njeriu kur ecën drejt qëllimit të tij, do të ballafaqohet me pengesa që nga ai kërkojnë të ndryshojë diçka nga planet e tij dhe t’i rishikojë qëllimet periodike që e çojnë deri te synimi kryesor.

  1. Këmbëngulja në plotësimin e projektit.

Bëhu i qëndrueshëm dhe i aftë që t’i ballafaqosh vështirësitë dhe pengesat në rrugë, edhe nëse më herët ke përjetuar goditje të rëndë, se kështu arrin deri te suksesi.

Kur vështirësia zgjat, mos e çaj kokën,

sfidoje atë me këmbëngulje dhe qëndrueshmëri.

Përcillet për Shuabe ibën El-Haxhaxh të ketë thënë: “E shita tasin e nënës sime për shtatë dinarë.”[9] Këtë e bëri që ta realizonte projektin e tij në kërkimin e hadithit.

Përcillet që Mein, baba i Jahja ibën Meinit, dijetari i madh i hadithit, ia kishte lënë trashëgimi djalit të vet një milion dërhemë, të gjitha i shpenzoi në rrugën e kërkimit të hadithit, derisa më nuk i mbetën të holla për të blerë nallane.[10]

Përcillet për Muhamed ibën Selam El-Bikendij, Allahu e mëshiroftë, të ketë thënë: “Shpenzova në kërkimin e dijes dyzet mijë (dinarë apo dërhemë), dhe shpenzova në përhapjen e dijes dyzet mijë të tjera.”[11]

Andaj patjetër duhesh të kesh këmbëngulje dhe vazhdimësi në punë, mos të të pengojë mungesa e mundësive që ta fillosh ose që ta vazhdosh rrugën.

Vazhdoje rrugëtimin tënd dhe mos u ndal i lëkundur,

sepse jeta kalon dhe vitet ikin si sekondë.

  1. Përfundimin e projektit e përcjell një gëzim i veçantë.

Ibën Haxher El-Askalanij, Allahu e mëshiroftë, filloi ta komentonte librin ‘Sahih El-Buharij’ në vitin 817 hixhri dhe e përfundoi atë në vitin 842 hixhri.

Pasi që e përfundoi librin të cilin e titulloi ‘Fet’hul Barij’, e bëri një gosti të madhe në ditën e përfundimit të librit.

Nxënësi i vet Es-Sahavij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ishte ditë dëshmie, asokohe nuk kishin parë diçka të ngjashme. Prezantuan dijetarë, gjykatës, kryetarë, njerëz të mirë etj. Poetët thurnin vargje të shumta dhe atyre u shpërndahej ari. Harxhimet e gostisë ishin diku përafërsisht pesëqind dinarë.”[12]

 

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Dr. Muhamed el Munexhidi

Pjesë nga libri: “PROJEKTE PËR JETË AKTIVE (këshilla dhe ide)”

 

[1] Buhariu (4802), Muslimi (1466).

[2] Buhariu (5090), Muslim (1466).

[3] Muslimi (1006).

[4] Hashijetu Es-Sindij ala En-Nesaij (2/68).

[5] Metrika është degë e letërsisë që merret me studimin e vargut. Luigj Gurakuqi e quante – vargnim. Burimi: https://sq.wikipedia.org/wiki/Metrika (sh.p.)

[6] Vefajatul Eajan (2/247-248).

[7] Taberaniu në El-Muaxhem Es-Sagir (1186).

[8] Tirmidhiu (2306) dhe e vlerësoi si të mirë.

[9] Sijerul Ealam En-Nubela (7/220).

[10] Sijerul Ealam En-Nubela (11/77).

[11] Sijerul Ealam En-Nubela (10/630).

[12] El-Xhevahir ue Ed-Durer fi terxhemeti shejhul islam Ibën Haxher (2/702).

Related posts

NJERËZIT AMBICIOZË DHE TË SUKSESSHËM NË PROJEKTE (2)

admin

Myftiu Tërnava priti në takim një delegacion nga mërgata shqiptare në Amerikë

admin

FRIKA PREJ ALLAHUT

admin