RTV AHIRETI
Agjërimi

SEXHDJA E HARRESËS (SEVI SEXHDJA)

sexhdja-e-harreses-(sevi-sexhdja)
  1. Njeriu mundohet që t’i kryejë ibadetet të plota, por ndodh nganjëherë që të gabojë ose të ketë mangësi gjatë kryerjes së ibadetit. Për këtë arsye Allahu për robërit e Tij e ligjëroi kompensimin e këtyre mangësive, me ibadete vullnetare, me istigfar (kërkimfalje), ose me shpagim. Kjo është nga mëshira e Allahut për robërit e Tij dhe nga bukuritë e fesë sonë të plotë.
  2. Njeriu harron dhe është i pakujdesshëm, kjo është në tabiatin e tij. Në anën tjetër, falja e namazit është pozita më e lartë e qëndrimit të robit para Allahut, prandaj edhe shejtani kujdeset që t’ia prishë atë, duke e futur në mendime për çështjet e dynjasë, ose e bën që ta shtojë një rekat, ose ta pakësojë një rekat, ose e fut në dyshim se sa rekate i ka falur, ose i bën vesvese. Për mangësinë që mund të ndodhë në namaz si shkak i harresës ose gabimit, Allahu për namazfalësin e ligjëroi sexhden e harresës që ta plotësojë atë mangësi.

Sexhdja e harresës bëhet në raste dhe situata të veçanta, ngase jo çdo harresë, gabim dhe mangësi e detyron sexhden e harresës, për ta poshtëruar shejtanin, për ta kompensuar mangësinë në namaz dhe për ta kënaqur Allahun.

  1. Harresa e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në namazin e tij është “nga plotësimi i begatisë së Allahut për umetin e tij dhe plotësim i fesë së tyre, që ta ndjekin Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në atë që ai ua ligjëron kur ata të harrojnë në namaz. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, harronte sikur të gjithë njerëzit dhe për harresën e tij vendoseshin dispozita që ato duhet të zbatohen kur të harrojë umeti i tij deri në Ditën e Kiametit.”[1]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Unë jam njeri sikur ju, harroj sikur ju që harroni, e kur ndonjëri prej juve harron, le t’i bëjë dy sexhde (harrese).”[2]

  1. Sexhdja e harresës; janë dy sexhde që i bën namazfalësi në fund të namazit, para ose pasi të japë selam, që ta kompensojë mangësinë që ka ndodhur në namaz, në raste dhe situata të veçanta.
  2. Sexhdja e harresës ligjërohet kur namazfalësi harron ose gabon pa qëllim, në raste specifike, ndërsa nëse gabimi bëhet me qëllim, atëherë nuk ligjërohet sexhdja e harresës.
  3. Sexhdja e harresës, sipas mendimit më të saktë, është detyrim kur namazfalësi harron, shton ose pakëson në namaz.

Kjo është sikur kur namazfalësi e harron një rekat, ose e lë një detyrim të namazit si teshehudi i parë, ose e shton një rekat, ruku apo sexhde, e të ngjashme me to.

  1. Shkaqet e sexhdes së harresës janë tri: kur namazfalësi shton në namaz, kur pakëson prej namazit, ose kur dyshon që ka shtuar apo mangësuar në namaz.
  2. Kush shton me qëllim në namaz një rekat, një ulje, një ruku, ose një sexhde, namazi i tij prishet (dhe nuk përmirësohet me sexhden e harresës sh.p.).
  3. Namazfalësi që shton nga harresa në namazin e tij:

– Nëse nuk i kujtohet që ka shtuar në namaz përveçse në fund të namazit, atij i takon t’i bëjë dy sexhdet e harresës dhe namazi i tij është i saktë.

Ilustrim me shembuj:

Namazfalësi në namazin e drekës i fal pesë rekate, nuk i kujtohet që e ka shtuar një rekat, vetëm pasi që ulet në teshehudin e fundit. Në këtë rast, ai duhet ta plotësojë teshehudin dhe t’i bëjë dy sexhde të harresës pasi të japë selam.

Ose, namazfalësi gabon dhe i bën tri sexhde, atij i kujtohet që e ka shtuar një sexhde pasi që ngrihet nga sexhdja; në këtë rast ai e vazhdon namazin e tij dhe e bën sexhden e harresës pasi të japë selam.

– Nëse shton në namaz dhe i kujtohet duke u falur, ai detyrohet ta bëjë sexhden e harresës. Namazi i tij në këtë rast është i saktë.

Ilustrim me shembull:

Namazfalësi harron dhe ngrihet për në rekatin e pestë, duke u falur i kujtohet që është në rekatin e pestë; në këtë rast ai detyrohet të kthehet menjëherë, të ulet në teshehud dhe pasi të japë selam, ta bëjë sexhden e harresës.

– Nëse shton në namaz dhe i kujtohet që ka shtuar pasi ta përfundojë namazin; nëse kohëzgjatja është e shkurtër, atëherë e bën sexhden e harresës ndërsa, nëse i kujtohet pasi të kalojë një kohë më e gjatë, nuk duhet të bëjë gjë dhe namazi i tij është në rregull.

Ilustrim me shembull:

Namazfalësi në namazin e drekës gabon dhe e shton një rekat, drekën e fal pesë rekate; atij kjo nuk i është kujtuar vetëm pasi që e ka përfunduar namazin.

  1. Namazfalësi i cili me qëllim jep selam para se të përfundojë namazi, namazi i tij prishet.

Nëse nga harresa jep selam para se të përfundojë namazi, dhe kjo i kujtohet pas një kohe më të gjatë, ai e përsërit namazin e tij.

Ndërsa, nëse i kujtohet pas një kohë të shkurtër, pas dy ose tre minutave, ai e plotëson namazin e tij dhe jep selam, pastaj e bën sexhden e harresës dhe sërish jep selam.

  1. Nëse imami jep selam para se ta përfundojë namazin, ndërsa disave nga xhemati që falen pas tij u ka ikur ndonjë rekat dhe (pasi që imami jep selam) ata ngrihen që ta plotësojnë atë që u ka ikur, pastaj imamit i kujtohet që ka dhënë selam gabim dhe ngrihet ta plotësojë namazin; në këtë rast, xhemati mund të zgjedhë, të vazhdojë që ta plotësojë atë që i ka ikur dhe pastaj të bëjë sexhden e harresës, apo të kthehet që ta vazhdojë namazin me imamin, dhe pasi që imami të japë selam, ata të ngrihen që ta plotësojnë atë që u ka ikur dhe pas selamit ta bëjnë sexhden e harresës. Kjo e fundit është më e mirë dhe më e sigurt.
  2. Kur namazfalësi të pakësojë një shtyllë të namazit;

– Nëse është tekbiri fillestar, atëherë nuk ka namaz, pavarësisht a e braktis me qëllim apo pa qëllim, sepse ai në esencë nuk ka hyrë në namaz dhe namazi i tij nuk ka filluar.

– Nëse është ndonjë shtyllë tjetër jashtë tekbirit fillestar dhe atë e braktis me qëllim, namazi i tij prishet.

  1. Kur namazfalësi nga harresa e braktis një shtyllë nga shtyllat e namazit:

– Nëse namazfalësi arrin në rekatin e dytë tek ajo pjesë (te shtylla) që e ka braktisur në rekatin e parë, në këtë rast, rekati që në të e harroi shtyllën konsiderohet i pavlefshëm dhe vendin e tij e merr rekati që vjen pas tij.

– Nëse namazfalësi nuk arrin në rekatin e dytë tek ajo pjesë (te shtylla) që e ka braktisur në rekatin e parë, ai detyrohet të kthehet te shtylla e braktisur, ta plotësojë atë dhe të vazhdojë me pjesën tjetër të namazit. Kështu forma dhe renditja e namazit do të jenë në rregull.

Në të dy rastet namazfalësi detyrohet ta bëjë sexhden e harresës pasi të japë selam.

Ta ilustrojmë me shembuj:

– Namazfalësi harron ta bëjë sexhden e dytë në rekatin e parë, kjo atij i kujtohet në uljen në mes dy sexhdeve në rekatin e dytë; në këtë rast rekati i parë konsiderohet i pavlefshëm dhe vendin e tij e merr rekati i dytë, i cili për namazfalësin tashmë llogaritet rekat i parë. Pastaj ai e plotëson namazin dhe në fund jep selam, pasi të japë selam e bën sexhden e harresës dhe prapë jep selam.

– Namazfalësi në rekatin e parë e bën vetëm një sexhde dhe harron të ulet në mes dy sexhdeve, ai pasi që e bën një sexhde, ngrihet për në rekatin e dytë. Gabimi i kujtohet pasi të ngrihet nga rukuja në rekatin e dytë; e në këtë rast, ai duhet të kthehet dhe të ulet në mes dy sexhdeve, e bën sexhden e dytë, kështu e plotëson rekatin e parë dhe ngrihet për në rekatin e dytë dhe e plotëson namazin. Në fund e bën sexhden e harresës pasi të japë selam.

  1. Namazfalësi i cili nga harresa e ka lënë një shtyllë të namazit, nëse atij i kujtohet pas një kohë të shkurtër, pasi që e ka përfunduar namazin:

– Nëse shtylla e lënë është nga rekati i fundit (p.sh. rukuja e rekatit të fundit), ai kthehet tek ajo pjesë që e ka harruar, e plotëson pjesën tjetër që ka mbetur nga namazi, në fund jep selam dhe pasi që jep selam, e bën sexhden e harresës.

– Nëse shtylla e lënë nuk është nga rekati i fundit, por i ndonjë rekati të tjetër (p.sh. sexhdja e rekatit të tretë të namazit të drekës), namazfalësi duhet të vijë me një rekat të plotë dhe, pasi të japë selam, ta bëjë sexhden e harresës.

  1. Namazfalësit, nëse i kujtohet që e ka harruar ndonjë shtyllë pas një kohe më të gjatë pasi ka dalë prej namazit, ai duhet ta përsërisë namazin e tij. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.

Disa të tjerë thanë që namazfalësi duhet të vijë me atë pjesë që e ka harruar nga namazi i tij, edhe nëse ka kaluar një kohë e gjatë. Ky është mendimi të cilin e ka zgjedhur Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë.[3]

  1. Namazfalësi, nëse e lë me qëllim një detyrim nga detyrimet e namazit (p.sh. teshehudin e parë), namazi i tij nuk është i saktë.

Ndërsa, nëse e lë një detyrim me harresë:

– Dhe i kujtohet para se të largohet nga ai vend në namaz, vjen me të (me atë detyrim) dhe nuk ka nevojë ta bëjë sexhden e harresës.

– Nëse i kujtohet pasi që është larguar nga vendi dhe para se të ketë arritur te shtylla e radhës, duhet të kthehet menjëherë dhe të vijë me të, e pastaj ta plotësojë namazin, të japë selam, ta bëjë sexhden e harresës dhe përsëri të japë selam.

– Nëse i kujtohet pasi të arrijë te shtylla e radhës në namazin e tij, nuk duhet të kthehet te vendi i detyrimit që e ka harruar, por e vazhdon namazin dhe në fund e bën sexhden e harresës para se të japë selam.

Ilustrim me shembull:

Namazfalësi harron ta thotë fjalën ‘subhane rabijel adhim’ në ruku; nëse i kujtohet që ka harruar para se të arrijë të drejtohet nga rukuja, ai detyrohet të kthehet në ruku dhe ta thotë dhikrin e rukusë. A, nëse është ngritur nga rukuja dhe është drejtuar në këmbë, nuk kthehet po e vazhdon namazin dhe e bën sexhden e harresës para selamit.

  1. Ai që e lë ndonjë sunet të namazit (sikur të lexojë pa zë në namazet me zë, ose duaja e hapjes së namazit etj.); nuk duhet ta bëjë sexhden e harresës, edhe nëse e lë me qëllim. Disa dijetarë e pëlqejnë që, nëse namazfalësi e lë një sunet të namazit, ta bëjë sexhden e harresës, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kur ndonjëri prej juve të harrojë, le t’i bëjë dy sexhdet e harresës.”[4]
  2. Namazfalësi, nëse shton dhikër që është pjesë e namazit, por atë nuk e thotë në vendin e vet të caktuar, sikur: e thotë dhikrin e caktuar në ruku dhe sexhde pastaj lexon Kuran në to, ose thotë “subhane rabijel eala” në ruku pasi që njëherë e ka thënë “subhane rabijel adhim”, dhe të ngjashme me to, ose me harresë e përsërit ndonjë shtyllë që është me fjalë sikur: leximi i sures Fatiha ose leximi i teshehudit të fundit më shumë se një herë; në këto raste nuk detyrohet sexhdja e harresës, sepse ai ka shtuar diçka që është pjesë e namazit. Por, është mirë dhe pëlqehet nëse e bën sexhden e harresës, sepse ai ka thënë ose ka vepruar diçka jo në vendin e vet në namaz.
  3. Namazfalësi që shton ndonjë lloj të dhikrit që nuk është pjesë e namazit, sikur: të thotë gjatë tekbirit në namaz “Allahu ekberu kebiren”, ose “Amin ja rabel alemin”; edhe në këtë rast nuk detyrohet sexhdja e harresës.
  4. Dyshimi në namaz vjen kur ka pavendosmëri dhe lëkundje në mes dy çështjeve se cila ka ndodhur (d.m.th. të dyshojë namazfalësi se a i ka falur tri rekate apo katër).

Namazfalësi në tri raste nuk duhet t’i kushtojë vëmendje dyshimit:

– kur dyshimi është thjeshtë ndonjë iluzion ose përfytyrim jo i vërtetë, sikur vesveset.

– kur dyshimi është i shpeshtë, saqë çdo herë kur bën ibadet ka dyshime.

– kur dyshimi vjen pasi ta kryejë ibadetin, në këtë rast nuk duhet t’i kushtojë vëmendje dyshimit, përderisa çështja nuk është e sigurt, andaj ai duhet të veprojë sipas bindjes së tij.

  1. Dyshimi në namaz nuk përjashtohet nga këto dy gjendje:

Gjendja e parë: Nga dy çështje namazfalësi e zgjedh atë që mendon se është më afër së vërtetës dhe punon me të, pavarësisht a është më pak apo më shumë. Andaj, ashtu e plotëson namazin e tij, jep selam, e bën sexhden e harresës dhe prapë jep selam.

Ilustrim me shembull:

Në namazin e drekës dyshon në numrin e rekateve, a është rekati i dytë apo i tretë; në këtë rast anon që është në rekatin e tretë dhe pastaj vjen edhe më një rekat, e plotëson namazin, dhe pasi të japë selam e bën sexhden e harresës. Nëse anon që është në rekatin e dytë, pastaj e plotëson namazin dhe i fal edhe dy rekate, dhe e bën sexhden e harresës pas selami.

Kjo duke u mbështetur në hadithin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili ka thënë: “Nëse ndonjëri prej juve dyshon në namazin e tij, le ta zgjedhë atë që mendon se është më e saktë dhe le ta plotësojë namazin, në fund le të japë selam dhe le t’i bëjë dy sexhdet e harresës.”[5]

Gjendja e dytë: Kur nuk mund të zgjedhë dhe të vendosë për asnjërën prej dy çështjeve; në këtë rast ai duhet të veprojë sipas më të sigurtës, që nënkupton të zgjedhë më të paktën, më pas ta plotësojë sipas kësaj namazin e tij, ta bëjë sexhden e harresës para se të japë selam dhe në fund ta përfundojë namazin me selam.

Ilustrim me shembull:

Namazfalësi në namazin e drekës fillon të dyshojë, a është në rekatin e dytë apo në rekatin e tretë dhe nuk mund të vendosë për asnjërën; në këtë rast e zgjedh atë më të sigurtën, rekatin e dytë, pastaj e vazhdon dhe e plotëson namazin në bazë të këtij vendimi, dhe sexhden e harresës e bën para se të japë selam.

A, nëse ai anon sigurt që është rekati i dytë, atëherë i fal edhe dy të tjera (nëse namazi është me katër rekate) dhe e plotëson namazin, dhe sexhden e harresës e bën pas selamit.

Kjo duke u mbështetur në hadithin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili ka thënë: “Nëse ndonjëri prej juve dyshon në namazin e tij, a i ka falur tri apo katër rekate, le ta largojë dyshimin dhe le ta zgjedhë atë që mendon se është më e saktë, pastaj le t’i bëjë dy sexhde para se të japë selamin. Nëse i ka falur pesë rekate, këto dy sexhde do t’ia bëjnë çift numrin e rekateve, a nëse i ka falur katër të plota, atëherë këto dy sexhde do ta poshtërojnë shejtanin.”[6]

  1. Nëse imami harron diçka nga namazi dhe në fund të namazit e bën sexhden e harresës, xhemati detyrohet ta ndjekë atë dhe ta bëjë sexhden e harresës bashkë me të, pavarësisht a ka harruar xhemati diçka nga namazi apo ka harruar vetëm imami, dhe pavarësisht imami a bie në sexhde para selamit apo pasi të japë selam. Përveç, nëse ndokujt nga xhemati i ka ikur ndonjë rekat dhe duhet të ngrihet pasi që imami të japë selam, në këtë rast, ai nuk e ndjek imamin kur ta bëjë sexhden e harresës pas selamit, por ngrihet ta plotësojë atë që i ka ikur, pastaj jep selam dhe e bën sexhden e harresës pas namazit.
  2. Nëse imami harron në namaz, xhemati ia tërheq vëmendjen duke thënë ‘subhanallah’, e nëse imami nuk e bën sexhden e harresës dhe xhemati e sheh që ai nuk po e bën, ata detyrohen që ta bëjnë sexhden pasi të japin selam. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.
  3. Nëse gjatë namazit me xhemat, gabon me harresë ndonjëri nga xhemati dhe jo imami:

– Nëse ai e ka filluar namazin me imamin, do të thotë nuk i ka ikur asnjë rekat, dhe harron diçka në namaz, në këtë rast ai nuk e bën sexhden e harresës, që mos ta kundërshtojë imamin në pasim. Përveç, nëse ndodh që të harrojë diçka nga namazi dhe kjo ia prish rekatin sikur, ta harrojë rukunë ose sexhden; në këtë rast, pasi që imami të japë selam, ai ngrihet dhe e fal edhe një rekat, pastaj jep selam dhe e bën sexhden e harresës pas selamit, sepse ai ka shtuar në namazin e tij.

– Nëse nuk ka filluar namazin me imamin, ka ardhur më vonë dhe i ka ikur ndonjë rekat, dhe duke u falur me imamin ndodh që të harrojë diçka në namaz, ose ndodh të harrojë kur të ngrihet ta plotësojë namazin pasi që imami jep selam; në këtë rast e ka patjetër ta bëjë sexhden e harresës.

  1. Dijetarët nuk janë të një mendimi për sexhden e harresës (a bëhet para selamit apo pas selamit?)

Mendimi më i saktë, Allahu e di më së miri, është që sexhdja e harresës bëhet para selamit në dy vende: kur të mangësohet në namaz, ose kur të dyshohet në namaz dhe namazfalësi nuk mund të vendosë se cila është më e saktë nga dy çështjet.

Ndërsa sexhdja e harresës bëhet pas selamit në dy vende: kur të shtohet në namaz, ose kur të dyshohet në namaz dhe namazfalësi nga dy çështjet e vendos për njërën nga to që mendon se është e saktë.

  1. Mospajtimi i dijetarëve për meselenë që sexhdja e harresës a bëhet para apo pas selamit, është nga aspekti i pëlqimit dhe epërsisë. Përcillet që në këtë janë unikë të gjithë.

Andaj ai që shton, pakëson ose dyshon në namazin e tij dhe sexhden e bën para selamit apo pasi të japë selam, namazi i tij është në rregull. Çështja është e gjerë, elhamdulilah. I këtij mendimi është edhe dijetari Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë.[7]

Disa të tjerë thanë që mospajtimi i dijetarëve është nga aspekti i detyrimit e jo i pëlqimit. Andaj atëherë kur ligjërohet që sexhdja të bëhet para selamit, namazfalësi detyrohet ta bëjë para selamit, dhe atëherë kur ligjërohet të bëhet pas selamit, namazfalësi detyrohet ta bëjë pas selamit. Të këtij mendimi janë Ibën Tejmije, që e zgjodhi si mendim më të saktë dhe dijetari Ibën Uthejmini, Allahu i mëshiroftë![8]

Më e mirë dhe më e sigurt për vendet e sexhdes së harresës është të pasohet suneti.

  1. Namazfalësi, nëse në namazin e tij i bën dy gabime; për njërin gabim sexhdja bëhet para selamit dhe për tjetrin gabim sexhdja bëhet pas selamit (sikur: kur e harron teshehudin e parë dhe e shton një ulje më tepër në namaz); në këtë rast, ai nuk i bën dy sexhde të harresës, por e bën vetëm një, edhe atë para selamit.
  2. Nëse gabimet me harresë shtohen brenda një namazi, namazfalësi mjafton që ta bëjë një sexhde të harresës, nuk ka nevojë ta përsërisë aq herë sa ka ndodhur gabimi në namaz, pavarësisht a është shtuar, pakësuar, ose dyshuar në namaz.
  3. Kush e lë me qëllim sexhden e harresës aty ku vendi i saj është të bëhet para selamit (dhe nuk e bën atë as para dhe as pas selamit); namazi i tij i prishet, sepse ai e ka lënë me qëllim një gjë të detyruar në namaz.

Kush e lë me qëllim sexhden e harresës aty ku vendi i saj është të bëhet pas selamit; nuk prishet namazi i tij, por bën mëkat, sepse në këtë rast ajo është kompensim për ibadetin, por jashtë tij, prandaj nuk prishet namazi.

Kjo vlen atëherë kur veprimi i harruar sikur të lihej me qëllim dhe kjo lënie është e rangut që e prish namazin, pavarësisht a është shtim apo pakësim në namaz.

  1. Kush e lë sexhden e harresës pa qëllim:

– Nëse i kujtohet pas një kohë të shkurtër që e ka përfunduar namazin; ai e bën sexhden e harresës, pavarësisht se vendi i sexhdes ka qenë para apo pas selamit. Namazfalësi në këtë rast e ka për detyrim ta bëjë sexhden, edhe pse ajo nuk bëhet në vendin e saj të duhur.

– Nëse i kujtohet pas një kohe më të gjatë që e ka përfunduar namazin; sexhdja e harresës bie dhe namazin e ka në rregull.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, anon ka mendimi që namazfalësi kur ta kujtojë që e ka harruar sexhden e harresës, qoftë edhe pas një kohë më të gjatë, duhet të vijë me të.[9]

  1. Sexhdja e harresës ligjërohet në namazet vullnetare (nafile) sikur që ligjërohet në namazin farz, nëse gjenden shkaqet e saj. Ky është mendimi i të gjithë dijetarëve, në të kaluarën dhe në të tashmen, përveç Ibën Sirinit, Allahut e mëshiroftë!
  2. Sexhdja e harresës nuk ligjërohet në namazin e xhenazes, as në sexhden e leximit të ajeteve kuranore që kanë sexhde dhe as në sexhden e harresës.

Ai që bën gabim me harresë në sexhden e harresës (sikur të harrojë ta thotë dhikrin e sexhdes ‘subhane rabijel eala); nuk detyrohet të bëjë sexhde tjetër (të dytë të harresës).

  1. Forma e dy sexhdeve të harresës në përshkrim dhe dhikër është sikur sexhdet e namazit. Para rënies në sexhde, namazfalësi e fillon me tekbir (thotë Allahu ekber), bie në sexhde me shtatë gjymtyrët, e shqipton atë që e shqipton në sexhden e namazit ‘subhane rabijel eala’ dhe bën dua, nëse do. Ulet në mes dy sexhdeve dhe e shqipton dhikrin ‘rabbigfirli’, që e shqipton në mes dy sexhdeve në namaz.
  2. Nuk ka ardhur argument që tregon se dy sexhdet e harresës veçohen me dhikër të veçantë. Disa dijetarë e kanë përmendur dhe e kanë pëlqyer të thuhet: “subhane me la jenamu ue la jes’hu (i lartësuar është Allahu, i Cili nuk fle dhe nuk harron)”, por kjo nuk ka bazë në fe, siç tha Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë![10]
  3. Nëse sexhdja e harresës bëhet para se të jepet selam; namazfalësi nuk ulet sërish në teshehud (për ta lexuar teshehudin, por jep selam, sh.p.). Ky është mendimi i të gjithë dijetarëve.

Nëse sexhdja bëhet pas selamit; shumica e dijetarëve mendojnë që pas sexhdes ulet për teshehud (dhe e lexon teshehudin dhe lutjet e tjera, sh.p.).

Më e saktë, Allahu e di më së miri, është që pas sexhdes së harresës nuk ka teshehud (në asnjërin rast. Sh.p.), sepse nuk ka ardhur ndonjë argument prej Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, që duhet të ulet në teshehud pas sexhdes. Ky është mendimi i dijetarëve të medh’hebit shafij, e zgjodhi si mendim më të saktë Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, dhe është fetvaja e Komisionit të Përhershëm të Fetvave.[11]

E lusim Allahun të na japë sukses në atë që Ai e do dhe Atë e kënaq, dhe të na ndihmojë ta përmendim, ta falënderojmë dhe ta adhurojmë sa më mirë.

Amin!

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

Dr. Muhamed el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”

(I PËRKTHYER NË GJUHËN SHQIPE)

 

[1] Zadul Mead, Ibën El-Kajim (1/277).

[2] Buhariu (401), Muslimi (572).

[3] Mexhmual Fetava (23/43).

[4] Mexhmual Fetava (23/43).

[5] Buhariu (401), Muslimi (572).

[6] Muslimi (571).

[7] Et-Temhid, Ibën Abdulber (5/33), Sherh n-Nevevij ala Muslim (5/56), Fet’hul Barij (3/93), Fetava Ibën Baz (11/267).

[8] Mexhmual Fetava (23/36), Esh-Sherh El-Mumti’ (3/395).

[9] Mexhmual Fetava (23/43-44).

[10] Et-Telhis El-Habir, Ibën Haxher (2/12).

[11] Mexhmual Fetava (23/50), Fetava El-Lexhnetu Ed-Daime (7/148).




Related posts

SHTATË GRUPET E SHPËTUARA

rezart morina

ME TË VËRTETË PAS VËSHTIRËSIVE VJEN LEHTËSIMI

rezart morina

SOT PËR SOT

rezart morina