Qeveria e Kroacisë ka njoftuar se do të blejë sistemin francez të mbrojtjes ajrore Mistral, për 72 milionë euro, si pjesë e përpjekjeve të kësaj anëtareje të NATO-s për të modernizuar forcën e saj ajrore, raporton Reuters.
Vendimi vjen pas blerjes së vitit të kaluar të 12 avionëve luftarakë francezë Dassault Rafale, me vlerë 999 milionë euro, për të zëvendësuar skuadriljen kroate të avionëve rusë MiG-21 që datojnë nga ish-Jugosllavia, prej të cilëve vetëm disa janë ende në funksion.
“Rrethanat që ndodhën me agresionin rus kundër Ukrainës dhe rënien e dronit në Zagreb treguan se është e rëndësishme dhe e nevojshme të përshtaten prioritetet dhe planet për pajisjen e ushtrisë kroate”, tha ministri kroat i Mbrojtjes, Mario Banozhiq.
Ai nuk ka specifikuar se kur do të arrihet marrëveshja.
Në muajin mars, një dron zbulues i epokës sovjetike që mbante një bombë ajrore u rrëzua në Zagreb, pasi hyri në hapësirën ajrore kroate nga Hungaria fqinje. Nuk ka pasur viktima.
Të martën, një aeroplan MIG-21, me dy ulëse, u rrëzua gjatë një stërvitje ushtarake në një zonë të pabanuar në verilindje të Kroacisë. Të dy pilotët u shpëtuan.
Kroacia iu bashkua Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në vitin 2009, ndërkaq që nga vitit 2013 është anëtare e Bashkimit Evropian. /rel