RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kryediplomati turk takon të dërguarën e OKB-së për Qipron para vizitës së sekretarit të përgjithshëm në ishull

kryediplomati-turk-takon-te-derguaren-e-okb-se-per-qipron-para-vizites-se-sekretarit-te-pergjithshem-ne-ishull

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, është takuar në Ankara me të dërguarën personale të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Qipron, Maria Angela Holguin Cuellar, për të diskutuar zhvillimet më të fundit lidhur me çështjen e Qipros, përpara vizitës së planifikuar në ishull të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, raporton Anadolu.

Sipas burimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, gjatë takimit Fidan dhe Holguin Cuellar shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen e Qipros.

Fidan ritheksoi se Turqia, si fuqi garantuese dhe atdheu i turqve qipriotë, beson se “zgjidhja më realiste e çështjes së Qipros qëndron në bashkëjetesën e dy shteteve në ishull”.

Ai gjithashtu tha se qasjet që nuk njohin të drejtat e lindura të popullit turk qipriot për barazi sovrane dhe status të barabartë ndërkombëtar, bazuar në realitetet në ishull, “nuk do të kontribuojnë në një zgjidhje”.

– Emërimi i Holguin Cuellar

Guterres emëroi Maria Angela Holguin Cuellar, ish-ministre e Punëve të Jashtme e Kolumbisë, si të dërguarën e tij personale për Qipron më 5 janar të vitit 2024.

Ajo u ngarkua të përcaktonte, përmes konsultimeve me dy palët në ishull dhe me tre fuqitë garantuese, nëse ekzistonte një bazë e mjaftueshme e përbashkët për fillimin e një procesi të ri formal negociatash për çështjen e Qipros.

Mandati i saj fillestar përfundoi në korrik të vitit 2024. Bazuar në gjetjet e saj, OKB-ja përfundoi zyrtarisht në tetor të vitit 2024 se nuk ekzistonte bazë e përbashkët midis palëve për arritjen e një zgjidhjeje.

Në vitin 2025, Guterres nisi një proces të ri bashkëpunimi me synimin për të ndërtuar besim ndërmjet dy palëve, duke nxitur një kulturë bashkëpunimi pavarësisht mungesës së bazës së përbashkët për negociata formale.

Pas një takimi joformal të zgjeruar për Qipron në Gjenevë, në mars të vitit 2025, me pjesëmarrjen e dy palëve, tre fuqive garantuese dhe Guterresit, Holguin Cuellar u riemërua si e dërguar personale për të mbikëqyrur procesin e bashkëpunimit dhe për të përgatitur një takim të dytë joformal të zgjeruar në korrik.

Megjithatë, sipas burimeve të ministrisë turke, gjatë këtij procesi nuk u arrit ndonjë përparim domethënës, kryesisht për shkak të qëndrimit negativ të palës greke qipriote ndaj çështjeve kyçe, përfshirë hapjen e pikave të reja të kalimit.

– Mosmarrëveshja afatgjatë
Qiproja është përfshirë prej dekadash në një mosmarrëveshje midis grekëve qipriotë dhe turqve qipriotë, pavarësisht përpjekjeve diplomatike të OKB-së për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Sulmet me motive etnike që nisën në fillim të viteve 1960 detyruan turqit qipriotë të tërhiqeshin në enklava për sigurinë e tyre.

Në vitin 1974, një grusht shteti i grekëve qipriotë, që synonte bashkimin e ishullit me Greqinë, çoi në ndërhyrjen ushtarake të Turqisë si fuqi garantuese, me qëllim mbrojtjen e turqve qipriotë nga përndjekja dhe dhuna. Si rezultat, në vitin 1983 u themelua Republika Turke e Qipros Veriore (RTQV).

Vitet e fundit janë shënuar nga përpjekje të herëpashershme për paqe, përfshirë një nismë të pasuksesshme në vitin 2017 në Zvicër, nën kujdesin e fuqive garantuese, përkatësisht Turqisë, Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Administrata Greke Qipriote u anëtarësua në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2004, po atë vit kur grekët qipriotë bllokuan në mënyrë të njëanshme planin e OKB-së për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes shumëvjeçare.

Related posts

VIDEO/ Tubim i madh i opozitës iraniane në Berlin, thirrje për ndryshim demokratik dhe fundin e regjimit në Teheran

admin

Filloi cikli i parë i trajnimeve fetaro-shkencore

admin

Predhë mortaje e SDF-së godet një fshat në veri të Sirisë

RTI